Të blesh futbollistë nuk ka qenë një kulturë e klubeve shqiptare, aq sa blerje konsideronin afrimin e sportistëve që ishin të lirë (nuk kishin kontratë me askënd). Gjithsesi, kjo gjë ka ndryshuar dhe klubet e kanë kuptuar se në disa raste duhet të investosh. Pas Skënderbeut edhe skuadrat e tjera vijuan që të blinin futbollistë, me synimin që në të ardhmen ta shumëfishojnë investimin fillestar.
Në merkaton e verës Kukësi, Partizani dhe Tirana vendosën që të shpenzonin pak për të siguruar shërbimet e disa lojtarëve, por kur janë luajtur 13 javë rezultatet nuk janë ato që priteshin. Arbër Çyrbja la Teutën për të shkuar te Kukësi për shifrën e 50 mijë eurove, por dhe 50 të tjera do të shkojnë në arkën e durrsakëve në fund të sezonit nëse anësori do të transferohet jashtë. Këto janë shifrat që drejtuesit kanë dhënë, ama Çyrbjes nuk i është besuar në ndeshjet e fundit, aq sa ka nisur që të jetë një alternativë gati çdo ndeshje.
Në kryeqytet ishte Partziani që mendoi të paguante 40 mijë euro te klubi i Vllaznisë për Erald Çinarin, por si në rastin e Çyrbjes edhe shkodrani nuk po gjen dot hapësirat e mjaftueshme për të treguar vlerat e tij. “Demat” ndodhen në vendin e parë dhe askush nuk mund të thotë në kanë vepruar gabim që nuk po i japin mundësi blerjes së verës.
Edhe Tirana ishte një nga skuadrat që në verë harxhoi 28 mijë euro për të marrë kartonin e Uinful Kobinës. Bardheblutë paguan në Ganë, skuadrën e Hearts of Oak për ta lënë të lirë mesfushorin, i cili edhe pse ka luajtur 13 ndeshje deri tani nuk është se ka bërë ndonjë diferencë të madhe nga pjesa tjetër e skuadrës.
Tre investime që deri më tani po rezultojnë jo të suksesshme. Çyrbja dhe Çinari nuk po luajnë, ndërsa Kobina nuk mund të bëjë revolucion i vetëm.Gjithsesi, duhet të presim se çdo të ndodhë deri në fund të sezonit. Mos të harrojmë që Guri edicionin e shkuar shpërtheu si një ”vullkan” pas janarit. Ku i dihet dhe tre blerjet e verës që lamë pas do të “zgjohen” pas pushimeve dimërore.