Trepça ’89, sa fëminore!

Mund të eliminohesh që në turin e parë në Champions League, në debutimin historik, kjo është mëse normale, por jo kështu. Trepça ’89 është mundur keqas sot në Mitrovicë, duke u shpartalluar 4-1 nga Vikingur Gota.

Eufori i paparë në Mitrovicë para ndeshjes dhe stadiumi “Adem Jashari” ishte plot e përplot, aq sa fitorja dukej se do të vinte qoftë edhe vetëm nga euforia e tifozerisë.

Megjithatë, humbja 2-1 në Ishujt Faroe duket se nuk ka shërbyer si leksion për ’89-shin, sepse u luajt pa ide të qarta dhe vetëm me presion territorial. Miqtë treguan se ashtu si kombëtarja, nuk janë më amatorë si deri pak vite më parë. Mbrojtje e kujdesshme, qetësi absolute, a thua se luajnë përditë përpara 16.000 tifozëve.

Presioni duhej të ishte mbi nordikët, por jo më kot shquhen për ftohtësinë e tyre, ndryshe nga ne, shqiptarët. Sulmuesi Blerand Kurtishaj gaboi, duke u ndëshkuar me 2 kartonë të verdhë brenda dy minutash, kur kishte kaluar gjysmë ore lojë, dhe aty mori fund ndeshja e Trepçës ’89, diçka e pafalshme gjithsesi.

Angel në minutën e 37-të dhe një autogol nga Islami 3 minuta më vonë fundosën ‘89-shin, që u dorëzua totalisht me kalimin e minutave. Mbrojtje amatore, ku u ndjenë shumë mungesat, sidomos ajo e Kaba Sambout, i dëmtuar, ndërsa sulmi nuk ekzistonte më.

Në pjesën e dytë erdhën edhe dy gola të tjerë për miqtë, që pas një ore lojë ishin të kualifikuar, ndërsa Trepça ’89 shënoi një gol nderi me Hasanin, shërbyer nga Kushtrim Lushtaku.

Vetëm aq, stadiumi u zbraz tërësisht pa mbaruar ndeshja dhe Trepça ’89 kupton se Europa është e vështirë, shumë e vështirë. Mend për vitin tjetër…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *