Dita e analizës, priten kritika të forta te Skënderbeu  

0

Trajneri Ilir Daja do të ulet sot me të tijtë për të treguar me video se ku ata kanë gabuar në ndeshjen e parë në Korçë

Leonard Trebicka

Pas ndeshjes së parë në Europa League, ku Skënderbeu fitoi 1-0 ndaj modestëve të Sant Julias, pati shumë kritika për korçarët. Ishte një 90-minutësh relativisht i dobët për Skënderbeun dhe presidenti Ardjan Takaj, por edhe tifozët nuk u ndjenë aspak mirë. Ata prisnin një goleadë në atë ndeshje, por ekipi ishte në një ditë të errët dhe nuk mundi të shënonte më shumë se një gol. Madje, i pari i klubit juglindor e shprehu hapur pakënaqësinë e tij për nënvlerësimin, që ekipi i bëri kundërshtarit modest. Edhe trajneri Ilir Daja pranoi se ekipi nuk ishte bashkëpunues në atë ndeshje dhe pret që gjithçka të ndryshojë në ndeshjen e kthimit që luhet të enjten në Andorrë.

ANALIZA – Numri 1 stolit bardhekuq do të zhvillojë sot analizën e paralajmëruar deri në detajet më të hollësishme të ndeshjes së parë. Kjo gjë do të bëhet me pamjet filmike, në një nga sallat e resortit “Tropikal” në Durrës: “Po, nesër (sot) do të zhvillojmë analizën. Vonesa e analizës ka të bëjë me faktin se gjatë këtyre ditëve kam studiuar deri në detajin më të vogël ndeshjen e parë, ku fituam 1-0. Kam nxjerrë çdo gabim të futbollistëve dhe do t’ua pasqyroj me video, që ata të shikojnë ku kanë gabuar”, – u shpreh shkurt dje trajneri Daja, para se skuadra të linte qytetin e Korçës. Dje është bërë edhe montimi i videos së ndeshjes së parë me San Julian dhe sot stafi teknik do të diskutojë me ekipin.

KRITIKAT – Burime pranë skuadrës korçare bëjnë me dije se analiza e Skënderbeut do të zhvillohet sot në mbrëmje, pasi skuadra të ketë përfunduar seancën e fundit stërvitore në vendin tonë. Patjetër që do të ketë kritika të forta për lojtarët. Dhe pritet që kritikat më të ashpra të jenë në adresë të mesfushës dhe sulmit, reparte që gabuan më shumë, edhe pse është thënë se të gjithë kanë faj. Trajneri Daja e ka përgatitur me detaje këtë analizë dhe do të flasë gjerë e gjatë me të tijtë, të paktën që gabimet e ndeshjes së fundit të mos përsëriten në vazhdim. Kështu, analiza e korçarëve ka vonuar pak, por për shkaqe objektive dhe tashmë ka ardhur momenti për evidentimin e gabimeve me anë të pamjeve filmike.

TAKAJ – Në analizë pritet të marrë pjesë edhe presidenti Ardjan Takaj, i cili ka kritikat e veta për futbollistët e Skënderbeut, kritika që kanë të bëjnë më shumë me vlerësimin dhe impenjimin e tyre në fushë, pasi për anën teknik mendon trajneri Daja. Pas ndeshjes së parë, presidenti Takaj nuk është takuar me ekipin dhe sot në mbrëmje ai dhe stafi teknik kanë gati “dushin e ftohtë” për ekipin. Kjo analizë e fortë do t’i vlejë Skënderbeut, që duhet të ndryshojë totalisht në ndeshjen e së enjtes në Andorrë për të mos i komplikuar gjërat. Në turin e dytë kundërshtari është shumë më i fortë dhe korçarët, nëse duan të shkojnë larg në Europë, duhet të përmirësohen ndjeshëm në aspektin e lojës së pari.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.