“Është një nder i madh për mua, pasi ky çmim jepet për lojtarin e vitit dhe jam zgjedhur unë këtë vit. Kam bërë të pamundurën që këto 5 vite të fitoj një trofe te Partizani. E kam nisur me një trofe personal dhe uroj që në fund të marrim një trofe që të gëzohen të gjithë tifozët.” Kështu e nis prononcimin e tij për emisionin “Wake Up” në “Top Channel”, Lorenc Trashi, lojtari i Partizanit dhe më i miri i Superiores për vitin 2018.
Gramshioti flet për fitimin e çmimit “Lojtari i Vitit”, tregon lidhjen e madhe me Partizanin dhe presidentin Demi, si dhe tregon objektivat e tij me klubin dhe për vazhdimin e karrierës. Kombëtarja është ëndrra e madhe e Trashit, i cili shpreson të transferohet dhe të masë forcat në një kampionat të huaj.
Keni një dedikim për këtë çmim?
-Këtë çmim ia dedikoj shokëve të mi, pasi pa ndihmën e ekipit nuk mund ta fitoja.
Jeni paksa rebel me sa dimë, si e fituat këtë çmim…
-“Lojtari i Vitit” zgjidhet për përformancat që jep lojtari gjatë vitit dhe golat, apo atë çka ka dhënë për ekipin. Pjesa e sjelljes ka qenë paksa problem për mua. Kam qenë paksa rrëmujaxhi dhe marr flakë shpejt. Është fakt që debatet nuk i kam bërë me kundërshtarët, por brenda familjes tonë, brenda ekipet të Partizanit. Ato janë gjëra që duhet të mësojmë.
Ktheheni nga ndeshja me Luftëtarin, u zure me ndonjë?
-Jo, nuk u zura. Pata një debat në fund me një kundërshtar, por vetëm një moment kur u nxeha, kur na barazuan, pasi ne ishim në fitore dhe ata shënuan golin e barazimit. Ishin nervat e lojës që i ka çdo lojtar.
A është ndonjë ekip që e di se mund të tensionohesh? Tirana ndoshta?
-Tirana jo, edhe pse është derbi. Kam shumë miq nga lojtarët e Tiranës. Është shumë e lezetshme pjesa e ngacmimit të tifozerive.
Kush mendoni se do ishte fitues, nëse nuk do e kishe marrë ti çmimin lojtari i vitit?
-Po marr një nga ekipi ynë. Jesir Asani është një lojtar me shumë kualitet, në moshë të re dhe mund ta fitonte këtë çmim.
Keni nënshkruar një kontratë që të mban të lidhur deri në vitin 2020 me Partizanin…
-Është viti i pestë që jam pjesë e Partizanit. Kur kam qenë në Gramsh kam luajtur me Lushnjen. Pas Lushnjes kam ardhur këtu me trajner Shpëtim Duron.
Mund ta quajmë se është familja juaj e dytë?
-Po, normale. Nuk është pak që të rrish 5 vite në një skuadër. Kam gjetur gjuhën e përbashkët me presidentin.
Ofendoheni kur ju thonë “morrat e kuq”?
-Jo, jo, fare. Nuk ofendohemi për faktin se sa jam unë këtu prej 5 vitesh dhe nuk kam humbur asnjë derbi.
Ke pasur oferta nga jashtë?
-Unë jam 26 vjeç. Kam pasur kontratë deri në 2019, por më pas jam ulur dhe kam folur me presidentin dhe kemi rënë dakord që të rinovoj edhe për një vit tjetër Kjo për të mirën time dhe të klubit, për të gjetur momentin për një transferim timin të mundshëm në një kampionat më të fortë jashtë vendit.
Ka një domethënie numri 19?
-Nuk e mbaj kot, pasi kam ditëlindjen më 19 maj dhe uroj që pas 19 majit të bëhet diçka e mirë për mua.
E shikoni veten në një skuadër tjetër shqiptare?
-Unë e kam shumë të vështirë të luaj për një ekip tjetër në Shqipëri. Mbase kjo nuk është profesionale dhe nesër mund të na ndodhë të luajmë me Skënderbeun apo një skuadër tjetër dhe ne duhet të bëjmë më të mirën. Unë e kam të vështirë edhe për raportet që kam me presidentin Demi. Fryma është fantastike këtë sezon.
Çfarë do të presë Trashi tani me statusin e lojtarit të vitit?
-Ky çmim është një shtysë shumë e mirë edhe për të ardhmen time, pasi prezantohem edhe me këtë arritje. Uroj që ta mbyllim me sukses dhe uroj të vendosim ato pikat mbi “i” për një gjë më të mirë për mua.
Kombëtarja…
-Kombëtarja është arritja më e madhe për një lojtar.
Ke pasur ndonjë njoftim?
-Jo akoma nuk ka ardhur, jemi në pritje. Dëshira është shumë e madhe, por kjo nuk është në dorën time.
Me jetën private çfarë ndodh?
-Unë i përkushtohem më shumë familjes.