Lorenc Trashi u shfaq sot para mediave dhe foli për ndeshjen e radhës me Flamurtarin. Mbrojtësi i majtë ka theksuar se te Partizani nuk ka presion, ndërkohë që jep mendimin e tij se kush nga rivalët për titull është më i fortë.
“Në përbërje kemi lojtarë të rinj. Normalisht ka presion tek ata, por trajneri ua largon dhe punojmë në aspektin psikologjik. Ecuria tregon që nuk kemi pasur. Normalisht ka njëfarë presioni, por jo që të reflektohet në fushë”.
“Kukësi apo Teuta? I vlerësoj të dyja ekipet. Kanë ekipe shumë të mira, me staf të mirë. Nuk janë kot aty ku janë. Mendoj se Teuta ka një grup më të mirë, pa anashkaluar Kukësin”, tha Trashi, i cili më pas foli edhe për kundërshtarin e radhës.
“Flamurtari, në momentin e duhur para derbit? Nuk mendoj për derbin. Vijmë pas në humbje dhe kemi një ndeshje të rëndësishme me Flamurtarin. Nuk mendojmë për largimet e tyre, grupin e kanë. Alla nuk ka luajtur shumë, Torasa po. Do jetë një kundërshtar agresiv, sikurse ishte me Skënderbeun. Të kalojmë fillimisht Flamurtarin”.
NGACMIMET – “Bicaj ka thënë se ky Partizan është më i dobëti i pesë viteve të fundit? Unë jam këtu prej pesë vitesh. Nuk dua të merrem me deklaratën e tij, ai ashtu e sheh dhe e gjykon. Mendoj se ky Partizan nuk është ai që thonë të tjerët, por ai që duket dhe është i pari. Kurrë s’kemi pasur kaq diferencë me të tjerët. Është e kotë të komentoj deklaratat e të tjerëve, kur ne shumë mirë e kemi treguar gjithçka me rezultate dhe punë. Kemi qenë edhe me këmbë në tokë gjithmonë”.
KOMBËTARJA – “Jam pyetur shpesh. Çdo lojtar ëndërron të jetë pjesë e kombëtares. Unë punoj dhe bëj më të mirën për Partizanin. Si mendon Panuçi, është puna e tij. Sikurse këtu, ku trajneri vendos për formacionin. Nuk ndërhyn asnjë, çdo gjë varet si e shikon ai. Shpresoj të marr një ftesë”.