Kukësi do titullin kampion dhe presidenti Safet Gjici nuk pranon asnjë justifikim. Tani që diferenca me Partizanin ka shkuar në tre pikë, si dhe me blerjen e Shkurtajt dhe Rrocës, kreu i klubit verilindor ua ka bërë të qartë stafit që duhet arritur objektivi i klubit.
Në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport, ka qenë drejtori Nexhipi që ka folur për “presionin” e presidentit, vendimet për të blerë dyshen e Luftëtarit, por edhe për aspekte të tjera si modulet e përdorura, ecuria në fazë, apo edhe aktivizimi i Shkurtajt e Rexhinaldos së bashku në sulm.
ULTIMATUMI I GJICIT – “Ambiciet e presidentit në gjithë Shqipërinë i dinë. Është presidenti që në çdo ndeshje kërkon maksimumin. Ai bën shumë për ekipin, investon shumë dhe normalisht pret rezultate. Të them të drejtën, me dy blerjet që kemi bërë në janar mendoj se kemi sjellë dy lojtarë me shumë kualitet, lojtarë të cilët e njohin Superioren dhe kjo është shumë e rëndësishme. Vitet e fundit, si Shkurtaj, ashtu edhe Rroca, janë lojtarë që kanë bërë diferencën në ekipin e tyre. Është shumë mirë që i kemi në ekip dhe dita-ditës ata po ambientohen me ekipin”.
VENDIMET E MERKATOS – “Ishte një ide e gjithë stafit. E dimë të gjithë që në janar është e vështirë të gjesh lojtarë që janë të lirë. Kishim fatin që presidenti arriti të gjente marrëveshjen me presidentin e Luftëtarit dhe i afruam këta dy lojtarë. Sa i takon pjesës së justifikimeve, mendoj se presidenti do maksimumin. Të gjithë lojtarët dhe stafi janë të përgjegjshëm për këtë dhe do bëjnë më të mirën të arrijmë te titulli kampion.
“Sa kohë i kishim studiuar? Emri i Shkurtajt dhe i Rrocës janë përfolur ka kohë në stafin tonë. Të them të drejtën, presidenti bëri të pamundurën që t’i merrte ata. Bëri një marrëveshje në një moment shumë të rëndësishëm. Jemi të lumtur, pasi afruam dy lojtarë shumë cilësorë. Normal shfrytëzuam një moment që Luftëtari ka pasur probleme financiare. Sidoqoftë, më e rëndësishme është që dy lojtarët janë pjesë e Kukësit”.
SHAFIK DHE RROCA TITULLARË – “Të dy janë lojtarë me shumë kualitet. Shafik, gjatë muajve që është këtu në Shqipëri, e ka treguar që është një lojtar me cilësi shumë të mira. Sidoqoftë, është trajneri Cungu ai që vendos për formacionin. Mendoj se në ekip ka vend për Rrocën dhe për Shafik. Sistemi do të shihet në vazhdim”.
KUR DO LUHEN NDESHJET NË KUKËS? – “Punimet e stadiumit është dashur të nisin, por ka pasur disa pengesa. Nga momenti që nis, sa di unë, procedura është nëntë muaj. Ndeshjen e fundit e luajtëm në Elbasan, por në vazhdim do luajmë në Kamzë. Të arrijmë te titulli, pastaj nuk është problem se ku do festojmë”.
MODULET TAKTIKE NË MIQËSORE – “Në ndeshjen e parë me Bashakshehir kemi vazhduar me atë formacionin e ndeshjeve të fundit, të rreshtuar me modulin 3-4-3. Është përshtatur edhe Rroca në një pozicion pak më të tërhequr. Ndërsa ndeshjen e dytë trajneri provoi sistem tjetër, duke nisur me Rrocën dhe Shkurtajn. Në ndeshjet e fundit kemi luajtur shumë mirë me sistemin 3-4-3 dhe për momentin nuk është e nevojshme që të bëhet ndonjë ndryshim. Sidoqoftë, është trajneri Cungu ai që vendos.
“3-4-3 kushtëzon sulmin, Rexhinaldo e Shkurtaj nuk luajnë bashkë? Është shkruar shumë. Rexhinaldo ka kontratë me klubin deri në maj, pra deri në përfundim të sezonit. Normal të gjithë janë lojtarë profesionistë dhe të gjithë e dinë se konkurrenca të bën edhe më të mirë. Më Shkurtajn e Rexhinaldon Kukësi do ishte i frikshëm, sidoqoftë do luftojnë si të gjithë lojtarët e tjerë për vendin e tyre në ekip”.
FAZA PËRGATITORE – “Kemi kaluar mirë këto ditë, kemi bërë dy ndeshje miqësore dhe ekipi po përgatitet mirë. Shpresoj që ta presim sa më mirë nisjen e kampionatit. Faza po shkon mirë, kemi pasur në ndeshjen e fundit një problem me portierin Maloku. Dje është kthyer në Shqipëri për të bërë rezonancën. Çdo gjë ka shkuar mirë, kemi bërë dy ndeshje mjaft të mira. Me Bashakshehirin ekipi luajti mirë, edhe pse humbëm 2-1. Edhe ndaj Rostovit, gjithë lojtarët që u aktivizuan kishin mundësinë të tregonin vlerat. Ishte një ndeshje që u dominua nga ekipi ynë”.