Trajneri i Veleçikut ka një merak, Duli: Na ka penalizuar fusha e paliçencuar

0

Skuadra e Veleçikut të Koplikut luan për herë të tretë në historinë e Kategorisë së Parë (2003-2004, 2013-2014 dhe 2018-2019), por me rezultatet që ka arritur në Grupin A, nuk është ndjerë shumë inferiore me skuadrat e tjera, mes të cilave ka shumë që kanë luajtur në Superiore, madje kanë dalë edhe kampione. Trajneri i kësaj skuadre, Besnik Duli, në të treja këto pjesëmarrje, deklaroi për SportEkspres.com, se ekipi i ka realizuar në 70% synimet e tij në 14 javët e luajtura në Kategorinë e Parë të këtij sezoni.

“Duke qenë se Veleçiku vinte nga Kategoria e Dytë, mendoj se ballafaqimi në këto 14 javë nuk ka qenë thjesht si një debutues. Natyrisht që kemi patur edhe mangësi, të cilat më shumë na kanë ardhur nga fakti se fusha jonë nuk është e liçencuar nga FSHF-ja dhe ndeshjet të gjitha i kemi luajtur në transfertë”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij tekniku i Veleçikut.

Gara për pjesën tjetër të sezonit në këtë kategori do të jetë më e vështirë, kryesisht në fazën e tretë që do të përgjysmohen pikët e dy fazave të para, por Duli thekson se në këtë periudhë do të eliminohen disa mangësi. “Duke ardhur nga një kategori më poshtë, kontingjenti ynë ka qenë i cunguar dhe harmonizimi i lojtarëve ka ardhur gradualisht. Dhe për pjesën e dytë të kampionatit kemi menduar të plotësohemi me lojtarë cilësorë në boshtin e skuadrës: mbrojtje-mesfushë-sulm”.

Në 14 ndeshjet e luajtura në Kategorinë e Parë, Veleçiku ka grumbulluar 19  pikë, dhe me 6 fitore, 1 barazim dhe 7 humbje renditet në vendin e 6-të në Grupin A të Kategorisë së Parë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.