Sandro Pokeshi është një personazh i pabesueshëm, deri tani i panjohur, sepse ka drejtuar vetëm në Lega Pro, por këtë verë ka marrë Ternanën në Serinë B, atë që mundi Partizanin 3-1 në miqësore para pak javësh, me Pokeshin që tha: “Ndeshje pa vlerë, zero kënaqësi. Po provojmë lojtarë, tanët, djem 16-17 vjeç, nuk dua mercenarë në skuadër. Ternana ka 10 vite që lufton për mbijetesë dhe nuk prodhon asgjë. Dua skuadër luftarake, të derdhë gjak për fanellën. Kam thënë se do të luajmë vetëm në sulm, dua gola, dua skemë 3-7, me 7 sulmues. Do të luaj me 3-1-6, që të kemi një msfushor para mbrojtjes, sepse lëmë hapësira kur sulmojmë. Skuadrat e tjera në B luajnë me 2 sulmues, por kanë emra të njohur në sulm”.
Në çdo konferencë për shtyp që organizon, Pokeshi dhuron spektakël me batutat e tij, aq sa është kthyer në një fenomen në rrjetet sociale, duke u krahasuar me madhështorin Oronco Oronco Kanà (ata që kanë parë filmin ‘L’allenatore nel pallone’ e njohin mirë).
Para pak ditësh Pokeshi lëshoi perlën e radhës: “Mjaft me kritika, mjaft me të bërit si specialistë, mos kërkoni nga Ternana që të fitojë kampionatin. Ne jemi Ternana, klub i vogël. Edhe unë dua që Murinjo të vijë te Ternana, Ibahimoviç të vijë te Ternana. Por Ibra te Ternana nuk do luante dot. Ai është mësuar të marrë topin dhe t’i zgjidhë vetë ndeshjet, skuadra duhet të luajë për të. Te Ternana ne luajmë me dy takime, luajmë në grup, si Barcelona. Ndaj Ibra dështoi dhe iku nga Barcelona”.
Nuk mjaftonte kaq, sepse dje Pokeshi lëshoi një tjetër perlë: “Nuk e kam vendosur ende formacionin për fundjavën. Dua të luaj me efektin surprizë. Gazetarët e Sky e duan formacionin një orë e gjysmë përpara ndeshjes: unë u jap formacionin e gabuar dhe më pas e ndryshoj 15 minuta para fillimit të ndeshjes”.
Edhe sezonin e shkuar Pokeshi dhuronte spektakël, kur drejtonte Fondin, nga sherret me gazetarët tek ankesat për arbitrimin, apo te një dëshirë: “U them lojtarëve të mi: Më jepni 20 vite nga jeta juaj që të luaj unë në fushë, dhe unë do t’iu jap 2-3 milionë eurot që kam në shtëpi”.