Masimo Ferrero është një nga presidentët më të çuditshëm të botës së futbollit. Producent filmash, aktor, sipërmarrës dhe president! Kreu i Sampdorias është origjinal, i sinqertë dhe normale, pak i çmendur. Në një prononcim për “Telenord”, Ferrero i rikthehet fillimeve te Sampdoria, kur bleu klubin në vitin 2014. Ai nuk merrte vesh nga futbolli, por është i qartë se çfarë dëshiron.
Me trajnerin Xhampaolo është shumë i lidhur dhe është gati t’i dhurojë rinovimin, pavarësisht se nuk do ia falë kurrë shitjen e Duvan Zapatës tek Atalanta. Trajneri nuk e pëlqente, ndërsa kolumbiani po “fluturon” me ekipin bergamask.
Rrëfimi i tij është interesant dhe batutat janë unike. Në fund ëndrra për të fituar një trofe dhe për t’iu dhuruar buzëqeshje e lumturi tifozëve të Sampdorias.
FERRERO – “Në fillim të gjithë më përqeshnin dhe askush nuk besonte tek unë. Unë lëkundem, por nuk dorëzohem. Sot ndodhem këtu falë fatit, këmbënguljes, punës së vështirë dhe dëshirës për t’iu dhuruar të rinjve dorianë një shtëpi. Pres shumë nga futbolli, por nga Sampdoria marr vetëm shkelma b…, që nuk i meritoj. Pjesa tjetër është e mbushur me kënaqësi, sot shkova te noteri dhe pagova zyrat e reja të klubit. Pres gjëra të bukura nga futbolli, sepse kush mbjell, korr. Unë kam mbjellë buzëqeshjen dhe lumturinë e njerëzve dhe shpresoj që ata të jenë të lumtur dhe të kenë respekt.”
TRAJNERI – “Trajnerët janë si gratë dhe ata mund t’i ndryshosh, pasi nuk janë prindërit e tu. Besoj shumë te puna e Xhampaolos, por nëse e thërret Reali dhe ai largohet, do të kem përsëri respekt për të. Ia thashë një gjë të tillë dhe Mihajloviçit, por… Ai ishte dashuria ime e parë. Kur erdha te Sampdoria nuk merrja vesh nga futbolli. Më dërguan në Londër dhe unë e hutova Etonë nëpërmjet një kameriere. Kam bërë shumë prapësi te Sampdoria. Me Sinishën kemi mbetur miq, por çdo trajner ka skemat e tij tekniko-taktike. Xhampaolo është një punonjës futbolli, një fundamentalist. Të gjithë e kritikojnë, por unë e dashuroj, sepse ai respekton stilin e vet. E cilësoj si një trajner shumë të mirë, atë duhet ta shijosh ashtu siç është. Ndoshta nuk të bën të fitosh asgjë, por mund të na dhurojë dhe titullin kampion. Unë nuk heq dorë nga ai dhe, nëse dëshiron të rinovojë, jam gati t’i ofroj një kontratë dy-vjeçare.”
MERKATO – “Merkato nuk mbaron kurrë dhe unë isha kundër shtyrjes së saj përtej 31 janarit. Merkato nuk ka nisur ende, sepse çdo gjë ndodh në javën e fundit. Bleva Gabiadinin, por do të kisha marrë dhe Murielin nëse do të kishim në ekip një vend të lirë për lojtarët ekstrakomunitarë. Të gjithë qahen për shitjen e Toreiras, por kemi marrë Ekdal dhe nuk jemi penduar. Po punoj për të gjetur zëvendësuesit e Andersen dhe Kolej për në verë, sepse ka boshllëk qendërmbrojtësish. Po provoj me të gjitha forcat e mia dhe dua të fitoj diçka.”
PENGU – “Mendoj se një futbollist është si puna e bursës: shet, fiton dhe… pendohesh. Zapata nuk bënte pjesë në planet e Sampdorias. Xhampaolon do e mbys një ditë, sepse atij nuk i pëlqente kolumbiani. Nëse dëshiron Xhampaolon, ndodh dhe kjo, kështu që nuk është ndonjë befasi fakti që Zapata mund të largohej…”