Trajektorja e Gurit: nga premtimi i trajnerit, te derbi me… Abazajn

Sindrit Guri një vit më parë ishte një nga sulmuesit më pak të vlerësuar në Superiore. Kolegët e tij në skuadra të ndryshme paguheshin disa herë më shumë. Shkodrani merrte vetëm 2 milionë lekë në muaj, një shifër mjaft e ulët për atë çka ai bëri me fanellën e Kukësit.

Plot 20 gola të shënuar, që bindën Kristian Panuçin ta grumbullonte edhe në kombëtare. Në Shqipëri për sulmuesin kishte udhëtuar edhe trajneri i Ostende dhe e kishte bindur Gurin që ekipi i tij ishte i duhuri për të.

“Genti ka disa sulmues dhe me një ndeshje jo të mirë mund të përfundosh në stol. Te ne do jesh sulmuesi kryesor dhe mundësitë nuk do të mungojnë, edhe nëse nuk do të shënosh për disa ndeshje”, i pat thënë pak a shumë trajneri Gert Verhejen sulmuesit shkodran, sikurse mëson “SportEkspres.com”.

Belgu pritej të gradohej trajneri i Ostendes dhe pasi e kishte parë me kujdes Gurin, ishte i bindur për cilësitë e tij. Fillimi ishte i mirë për shkodranin, që realizoi në miqësoret e verës. Futbollisti 25-vjeçar ishte optimist dhe mendonte se do arrinte të shënonte deri në 15 gola.

Ostende u pa si “trampolinë” për Gurin, por futbolli në Belgjikë nuk është aspak i lehtë. Sulmuesi luajti pesë ndeshje radhazi si titullar dhe realizoi vetëm një gol mjaft të bukur kundër Anderlehtit. Verhejen e mbajti premtimin e dhënë.

Tanimë Guri po luan më pak, ndërkohë që ka humbur edhe vendin në kombëtare. Trajneri Panuçi nuk e ka ftuar as për ndeshjet me Skocinë dhe Uellsin. Së fundmi Guri ka luajtur titullar në takimin mes rezervave të Ostendes dhe Anderlehtit. Për t’u përmendur, nuk ka asnjë dënim, thjesht një pjesë e lojtarëve kanë pasur mundësi të ruajnë ritmin dhe i janë përgjigjur pozitivisht sugjerimit të trajnerit për të luajtur me rezervat. Nuk ka shënuar as aty në humbjen 2-0 që ekipi i tij ka pësuar.

Një moment “jo” për sulmuesin, i cili duhet të rifitojë minuta me ekipin e parë dhe të shënojë. Ky ngërç me siguri do kalohet shpejt nga Guri, i cili duhet të tregojë se jo më kot klubi belg pagoi për të plot 710 mijë euro. Cilësitë e tij nuk diskutohen, mjafton një gol për ta liruar…

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *