Toti kundër kritikave: Roma të ndjekë trajnerin, jo fjalët e kafeneve. Juventusi? Nuk ka rivalë

Françesko Totit nuk i ndahet zemra nga Roma, ekip në të cilin ka kaluar gjithë jetën e tij sportive, për t’u tërhequr para dy vitesh në moshën 40-vjeçare. Ish-kapiteni i famshëm flet për luftën për titull, objektivin e verdhekuqve, sulmuesit Shik&Klaivert dhe i rikthehet dhe njëherë ndeshjes së lamtumirës, që përloti miliona tifozë në të gjithë botën.

Roma – “Është një moment i veçantë, sepse askush nuk e ka pritur këtë nisje të sezonit nga ekipi. Janë vetëm tre ndeshjet e para dhe nuk mund të fajësojmë një lojtar apo një tjetër. Kampionati është i gjatë, por duhet të jemi realistë: Juventusi bën kampionatin e vet dhe është e kotë ta fshehim. Në duhet të garojmë më Milanin, Interin, Lacion dhe Napolin. Pritshmëritë duhet të jenë të mëdha, por duke parë atë që Roma bëri sezonin e kaluar, atëherë, Roma duhet të fitojë titullin dhe të arrijë në finalen e Champions.

Të gjithë mundohen të kenë këtë objektiv, por realiteti është ndryshe. Ne duhet të kërkojmë të arrijmë një pozicion mes vendit të dytë dhe të katërt, si dhe të kalojmë grupin në Champions. Duhet të jemi të bashkuar, sepse uniteti i skuadrës të dërgon larg. Duhet të lëmë mënjanë thashethemet jashtë fushe dhe t’i lëmë të tjerët të merren me to. Gjëja më e rëndësishme është që ekipi të jetë i bashkuar.”

Harmonia në klub – “Fjalët e kafeneve, gazetarëve dhe radiove duhet t’i lëmë jashtë Trigorias. Realitetin e fakteve e dimë vetëm ne. Për trajnerin vendos dorën në zjarr, kur them që ai është një nga trajnerët italianë më të aftë: është i ri, me perspektivë, një karakter i fortë dhe nuk influencohet nga askush. Me kalimin e kohës, ai do të tregojë aftësitë e tij dhe diçka të tillë e ka bërë dhe në sezonin e kaluar. Roma është një ambient i veçantë, sepse priten rezultate të mëdha dhe të gjithë kanë dëshirë për të fituar. Nuk fitojmë prej kohësh, por ka dhe skuadra të tjera, që nuk kanë fituar prej shumë kohësh, sepse fiton vetëm Juventusi.

Duhet të qëndrojmë afër trajnerit dhe të gjithë tifozët t’i japim një shtysë ekipit. Tifozët janë krenari dhe me plot dashuri për ekipin dhe pa ndihmën e tyre nuk shkojmë dot askund. Duhet të dalim të bashkuar nga ky tunel, që në të vërtetë nuk është tunel, sepse kanë kaluar vetëm tre ndeshjet e para. Di Françesko do të dijë ta kalojë këtë situatë dhe lojtarët duhet të ndjekin idetë e tij. Do të shohim përsëri Romën, që para pak muajsh ishte një ekip i madh në Itali dhe Europë.”

Shik&Klaivert – “Janë të rinj dhe është normale që duan të luajnë. Edhe unë kur isha 18-vjeç dëshiroja të luaja dhe nëse më pyesnin nëse duhet të isha titullar i Romës, do të përgjigjesha me po. Kur qartëson këtë gjë, atëherë gazetarët fillojnë dhe e interpretojnë si të duan ata. Ata janë dy djem të shkëlqyer me një të ardhme të madhe. Roma mbështetet shumë tek ata, të cilët do të tregojnë vlerat e tyre.”

Akuzat ndaj Monkit – “Ai ka shitur lojtarë të mëdhenj, por dhe ka blerë lojtarë të tillë. Të rinj, me të ardhme dhe në gjendje për të bërë mirë dhe në këto momente. Kemi një skuadër të fortë dhe nëse nga 25 lojtarë që ke, 16 janë lojtare kombëtaresh, do të thotë që ke një skuadër të nivelit të lartë. Monki është një dhi e vjetër dhe gjykimi i punës së tij do të bëhet në fund të sezonit. Nëse humbasim 10-të ndeshje rresht, do të filloja të bëja disa pyetje, por tani jo. Katër pikë me Torinon, Atalantën dhe Milanin mund të qëndrojnë, sepse vetëm Juventus mund t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Duhet të kemi ekuilibër dhe t’i mënjanojmë ulje-ngritjet në skuadër.”

Ndeshja e lamtumirës – “Nuk e kam parë ndeshjen, por ceremoninë, po. Shpeshherë Daniel dhe Chanel shikojnë ato momente dhe ndaloj dhe unë t’i shoh bashkë me ta. Të shikosh atë çfarë ndodhi është të bën mirë dhe është e këndshme deri në një farë pike. Ajo ditë ishte surreale, jo për lamtumirën time, por për fytyrat e njerëzve dhe ato më kanë mbetur në memorie. Ajo ishte sinqeriteti dhe dashuria e ndërsjellët mes meje dhe tifozëve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online