Totenhem-Inter është një nga ndeshjet më të bukura dhe të forta të mbrëmjes së sotme në Champions. Anglezët nuk kanë alternativa përveç fitores, për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit, ndërsa ekipit zikaltër i mjafton një pikë për të mbyllur çështjen e kualifikimit.
“Rai Sport” ka marrë nga një prononcim të dy trajnerëve: Luçiano Spaletit dhe Mauricio Poçetinos. Italiani i di mirë vështirësitë e kësaj përballje dhe kërkon sakrificë të madhe nga lojtarët e tij. “Nuk bëhet fjalë për një diskutim macesh, apo dhelprash, në kuptimin që ne nuk duhet të biem pre e vështirësive të ndeshjes. Do të na duhet të djersitim deri në fundin e ndeshjes për të siguruar kualifikimin”, thekson Spaleti, ndërkohë që 4500 tifozë të Interit priten të udhëtojnë drejt Anglisë për të mbështetur ekipin e tyre në mitikun “Wembley”.
Për medien italiane ka folur dhe argjentinasi me origjinë italiane i stolit të Totenhemit. Mauricio Poçetinos nuk i ka ecur kurrë kundër ekipeve italiane dhe sonte do të kërkojë fitoren për të thyer tabunë dhe për të hedhur një hap drejt kalimit më tej.
“Unë jam gjithmonë i bindur se mund të fitojmë. Interi është i fortë, ka lojtarë të shkëlqyer dhe Spaleti di t’i përgatisë mirë ndeshjet. Mendoj se mund t’ia dalim. Unë ndihem italian 100%, prindërit e mi vijnë nga veriu i Italisë dhe në venat e mia rrjedh gjak italian. Sfidat e mia kundër ekipeve italiane kanë shkuar gjithmonë keq, por shpresoj që ta ndryshoj këtë traditë”, përfundon Poçetino.