Aventura japoneze e Fernando Torres mund të mbyllet para kohe. Sulmuesi spanjoll firmosi në verë me Sagan Tosu deri në vitin 2020. 35-vjeçari ka marrë një ofertë nga Meksika, siç raporton spanjollja “AS”. Klubi i Atletiko de San Luis e kërkon “El Ninjon”, por ka një problem.
Ekipi garon në divizionin e dytë të futbollit amerikano-latin. San Luis po luan fazën “play off” për t’u ngjitur në elitë. Përballë është Dorados Sinaloa, ekipi që drejtohet nga Diego Armando Maradona.
Finalja e parë zhvillohet në orën 4 të mëngjesit të ditës së premte. Nëse San Luis ia del, atëherë rriten shanset që Torres të arrijë akordin dhe të provojë emocionet e futbollit meksikan, përndryshe diçka e tillë bëhet pothuajse e pamundur dhe festa kalon nga ana e djemve të Maradonës.