Rexhinaldo sezonin e shkuar realizoi tripletën e parë në karrierë. I shënonte Flamurtarin me fanellën e Laccit. Një prej golave e gjeti me 11-metërsh, ndërkohë që sot me Kukësin shënoi tre herë në aksion. Sërish topi i ndeshje si takon atij.
“Urime ekipi, fitore e madhe. I lumtur që ndihmova ekipin tim të fitonte ndeshjen dhe për shënimin e tre golave. Topi i lojës është i imi. Faleminderit kolegë. Forca Kukësi”, shkruan Rexhinaldo në rrjetet sociale.
Tashmë sulmuesi është i pari në renditjen e golashënuesve dhe synimi është që jo vetëm të dalë kampion me Kukësin, por të fitojë edhe “Këpucën e Artë”. “Fillimisht mendoj për ekipin. Kur hyj në fushë mendoj të ndihmoj ekipin, nëse shënoj është mirë për ekipin. Unë përpiqem të bëj më të mirën”, shprehet në “Supersport” në emisionin “Gol pas goli”.
“Nuk dua të flas për të shkuarën. Kukësi është një ekip me objektiva madhore. Fituam dhe tani do pushojmë pak. Më pas do tentojmë të fitojmë çdo ndeshje. Rivalët? Nuk e di, mendoj vetëm për Kukësin. Nesër iki për t’iu bashkuar kombëtares, më pas do rikthehem të mendoj sërish vetëm për ekipin. Pozicioni? Jam sulmues, por qëndroj kudo. Dua të luaj, dua të ndihmoj ekipin”.