Lojtarët e elitës së futbollit evropian e kanë kthyer në modë mbylljen e karrierës në SHBA apo Kinë. Mundësia që të japin këto vende për të bërë para në një moshë që në Evropë nuk t’i hedhin sytë është ajo që i tundon më së shumti. Kemi parë figura të mëdha të sportit si Bekam, Shvajnshtaiger apo Ibrahimoviç që nuk i kanë rezistuar milionave.
Megjithatë, ka dhe nga ata që nuk duan të luajnë futboll në të tilla vende, por dëshirojnë një mbyllje të lavdishme të karrierës. Toni Kros bën pjesë në këtë grup të vogël. Gjermani sapo ka firmosur një kontratë të re me Real Madrid, që e mban të lidhur me klubin spanjoll deri në moshën 33-vjeçare.
Përfundimi i kësaj kontratë do të regjistrojë mbylljen e karrierës së Kros. Këtë e thotë vetë mesfushori që shton se nuk do të luajë kurrë në Kinë apo SHBA. Kalimi te Real Madrid, sipas tij, është vendimi më i mirë që ka marrë në karrierë.
“Kur të jem 33 vjeç do të jetë mosha ideale për t’u tërhequr. Kontrata ime jo rastësisht ka atë jetëgjatësi. Do të kem mundësi të zgjedh se çfarë çfarë do të bëj pas kësaj. Ardhja te Real Madrid është gjëja më e mirë që mund të bëja. Kurrë nuk do të luaj në vende si Kina, Katari apo SHBA”, përfundoi gjermani.