Toni Kros “futbollisti i vitit” në Gjermani, nderohet dhe Hejnkes

Toni Kros zgjidhet “futbollisti i vitit” në Gjermani, duke e fituar këtë çmim për herë të parë në karrierë. “Ky është një çmim shumë i bukur. Nuk është e thjeshtë të shpallesh ‘futbollisti i vitit’ në Gjermani”, komentoi mesfushori 28-vjeçar për çmimin, i cili jepet nga revista e specializuar gjermane “Kicker”.

Mesfushori i Realit mori 185 vota nga 475 votat në total. Rezultati ishte i pritshëm, pasi Kros ishte i vetmi lojtar gjerman i cili festoi një sukses ndërkombëtar duke ngritur trofeun e “Champions League” për të tretën herë radhazi. Toni Kros, i cili u rendit në vendin e dytë vitin e kaluar (fitues ishte Filip Lahm), la mbas vetes sulmuesin e Freiburgut, Nils Petersen (39 vota) dhe Naldon, mbrojtësin brazilian të Shalkes (38 vota).

Në kategorinë e trajnerëve, vendin e parë e mori Jup Hejnkes me 91 vota, i cili drejtoi Bajernin e Mynihut dhe pas tij u renditën Domeniko Tedesko i Shalkes (89 vota) dhe Niko Kovaç (77 vota), i cili i dhuroi Kupën e Gjermanisë Eintrahtit të Frankfurtit dhe tashmë është trajneri i ri Bajernit të Mynihut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *