Apolonia është skuadra që “nuhat” më mirë se çdo skuadër tjetër talentet e Tomorit në këto vitet e fundit, pasi në më shumë se një dekadë e gjysmë, janë disa nga talentet e futbollit beratas ata që janë aktivizuar tek skuadra fierake.
Ky është një handikap shumë i madh për klubin e Tomorit, i cili një pjesë e futbollistëve të rinj dhe të talentuar i snobon duke i lëshuar si pa gjë të keqe dhe me pas kur konstaton se ata promovohen gjetkë, atëherë fillon dhe lëshon “lot krokodili” që s’kanë asnjë vlerë, për sa kohë talentet beratas nuk rikthehen më në Berat.
Në disa raste këta lojtarë kanë pasuruar edhe arkën e Apolonisë, siç ka qënë së fundi edhe rasti i mesfushorit Myrto Uzuni, që shpërtheu në Fier dhe prej andej tek Laçi dhe tani jashtë vendit, ku pritet të avancojë me talentin e tij, ndërsa beratasit prej tij fituan vetëm 400 mijë lekë dhe miqësinë midis dy ish-kryebashkiakëve Fadil Nasufi dhe Baftjar Zeqo.
Së fundi është sulmuesi i talentuar 19-vjecar Krisild Zoga ai që është bërë pjesë e Apolonisë, duke qënë se në Berat çuditërisht talentin e tij nuk e vlerësuan, edhe pse ai sezonin e kaluar ka shkëlqyer si golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë për grupin B, me 19 gola në kampionatin e të rinjve.
Për shkak të studimeve të larta, sipas pretendimeve të familjarëve të tij, por më së shumti për qejfmbetjet që kanë me stafin aktual të Tomorit, ata kanë zgjedhur largimin nga skuadra beratase, ndërsa Tomori po përsërit një tjetër gabim të rëndë me largimin e sulmuesit të talentuar tek Apolonia, aty ku më parë kanë shkëlqyer të tjerë beratas si Droboniku, Lako, Grsi Arbëri, Uzuni, etj.
Edi Spahiu