Interi duket se është i fiksuar që të marrë një mesfushor kroat nga Spanja. Si në merkaton e verës ashtu dhe në janar u përfol shumë se Modriç mund të zbarkonte në Milano, por diçka e tillë nuk u arrit. Skuadra zikaltër duket se po mendon për merkaton e verës tani dhe në mediat spanjolle po qarkullon një emër i ri që mund të vihet nën urdhrat e Spaletit.
Bëhet fjalë për Ivan Rakitiç. Kroati i Barcelonës mund të largohet në dritaren e ardhshme të transferimeve, pasi në skuadrën katalanase duhet t’i bëjnë vend De Jongut. Rakitiç duket se është kandidati potencial për t’u sakrifikuar.
Për të ka interes nga shumë skuadra në Angli dhe Francë, por mediat spanjolle janë të bindura se Interi ka nisur tratativat me mesfushorin, për ta bindur që të veshë fanellën e skuadrës nga Milano. Mbetet për t’u parë nëse lojtarin do e bindë projekti i zikaltërve, apo edhe Rakitiç, ashtu si Modriç do të mbetet thjeshtë një ëndërr në sirtar.