Zinedin Zidan e nisi me fitore rikthimin në krye të stolit të Realit të Madridit. “Los Blancos” mposhtën të shtunën Selta Vigon në shtëpi me rezultatin 2-0, ndërsa francezi riktheu në formacion “luftëtarët” e tij të vjetër si: Marselo, Isko dhe Kejlor Navas. Ky i fundit rikthehet pas shumë kohësh titullar dhe nuk i kursen batutat për trajnerin francez.
“Nuk dua të bëj krahasime midis trajnerëve. Tani po punojmë mirë dhe në dhomat e zhveshjes është rikthyer alegria. Zidan bisedon me të gjithë, flet me lojtarët edhe tek e tek. Nuk e di nëse ndërrimi i trajnerit ishte vendimi i duhur, këtë e di klubi, por ne jemi profesionistë dhe duhet ta pranojmë”, ironizon portieri nga Kosta Rika. Navas flet edhe për një largim të mundshëm nga Reali në fund të sezonit. Gjithçka mund të ndodhë, por ai vazhdon t’i qëndrojë besnik ideve të veta.
“Ka kohë për të folur për të ardhmen, unë jetoj të tashmen dhe luftoj për të fituar një mundësi, siç më ndodhi me Seltën. Të mendosh për të ardhmen do të thotë të humbasësh perspektivën e së tashmes. Gjithmonë kam thënë që përparësia ime është që të qëndroj këtu. Gjërat mund të ndryshojnë, por jam stërvitur gjithmonë me profesionalizëm”, përfundon portieri i Realit të Madridit.