Trajneri i përfaqësueses së Brazilit, Tite, ka bërë publike listën me 23 futbollistët e grumbulluar nga ai për turneun “Copa America”, që do të fillojë më datë 16 qershor. Në listë nuk mungojnë surprizat, duke filluar nga reparti i sulmit.
Protagonisti i gjysmëfinales së Champions-it, Lukas Moura, është lënë jashtë grumbullimit. Tite ka vendosur të mbajë grupin e njëjtë në repartin e sulmit duke mbledhur lojtarët që kanë qenë pjesë e kombëtares në dy grumbullimet e fundit: Neres, Everton, Firmino, Gabriel Zhesus, Nejmar, Riçarlison.
Surpriza nuk ka as në mesfushë, ku grupi qëndron i pandryshuar. Ashtu si në grumbullimet e mëparshme. Të pesë lojtarët e këtij reparti luajnë në ligat e para evropiane: Alan, Artur, Kasemiro, Fernandinjo, Paketa, Kutinjo.
Në mbrojtje rikthehet Dani Alvesh, ndërsa vend ka dhe për Tiago Silvën, që siç duket do të riaftësohet në kohë pas operimit në gju. Jashtë ka mbetur mëngjarashi Marselo, zgjedhjet e Tites për këtë rol janë Aleks Sandro dhe Filipe Luis. “Copa America” do të filloj gjatë muajit të ardhshëm dhe Brazili është favoriti për ta fituar turneun, kjo jo vetëm për shkak të kualitetit, por edhe për faktin se eventi organizohet në vendin e sambës.
Portierë: Alison, Kasio, Ederson
Mbrojtës: Aleks Sandro, Daniel Alvesh, Eder Militao, Fagner, Filipe Luis, Markuinjos, Miranda, Tiago Silva
Mesfushorë: Alan, Artur, Kasemiro, Fernandinjo, Paketa, Kutinjo
Sulmues: Neres, Everton, Firmino, Gabriel Zhesus, Nejmar, Riçarlison