Tirana synon ta çojë në Kroaci, Mervejl do Austrinë

Është vetëm 18 vjeç, por që tani vlen sa një thesar, të paktën për nivelet e Superiores. Mervejl Ndokit, mesfushori i Tiranës dhe i kombëtares së Kongos, është futbollisti më i kërkuar bardheblu në këtë moment, ndaj largimi i tij duket i sigurt në ditët e ardhshme.

Edhe paraqitja në Izrael ishte pozitive dhe vëzhguesit e ndryshëm janë bindur për vlerat e tij, por Tirana ka vendosur një çmim të lartë, mbi 500 mijë euro, që ka trembur shumë klube.

Klubi që në fakt nuk trembet është Osijeku ambicioz, që këtë verë ka blerë edhe Eros Grezdën dhe tashmë kërkon talentin e Tiranës, duke e ditur se nëse gjithçka shkon mbarë, për një ose dy vjet Mervejl do të vlejë të paktën 2-3 milionë euro.

Problemi është se Tirana e ka pranuar ofertën e Osijekut, por Mervejl heziton, mëson “Sport Ekspres”. Kongolezi është joshur nga oferta e LASK-ut, klub nga Linzi i Austrisë, që sapo është kthyer në Bundesligë.

Kampionati austriak duket se e josh më shumë Mervejlin, që ndoshta ëndërron një kërcim në Gjermaninë fqinje brenda pak vitesh, ose ndoshta ka marrë një ofertë më të mirë financiare, por gjithçka ngec te bisedimet mes dy klubeve, sepse LASK nuk e ka barazuar ofertën e Osijekut.

Janë orë vendimtare dhe te Tirana po merren vetëm me këtë çështje për momentin, sepse gjithçka duhet zgjidhur sa më shpejt, për të mbyllur shitjen e mesfushorit brenda pak ditësh dhe për të filluar pastaj planifikimin për zëvendësimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *