Gjici nuk ndalet, padit për 30 milionë euro Federbetin

0

Safet Gjici e ka seriozisht betejën kundër Federbetit, që ka njollosur imazhin e Kukësit ditët e fundit, duke aluduar se dy miqësore në Austri kanë qenë të trukuara.

Presidenti i Kukësit, duke folur në emisionin “Ora Skaner” në Ora News, ka lëshuar “bombën”, duke deklaruar edhe shifrën që do t’i kërkojë Federbetit në gjyq: “Nuk e di se si mundet kjo organizatë, apo OJF që të flasë në këtë mënyrë. Ndoshta edhe e nxitur nga brenda Shqipërisë. Kemi bërë 20 ndeshje në Europa Ligë dhe nuk kemi asnjë relacion për dyshime apo trukime nga UEFA. Këto janë në kuadrin e akuzave që nisën pa përfunduar kampionati, kur konkurrentët tanë nxorën histori e broçkulla pa fund për të na akuzuar.

“Të flasësh për miqësore, është si të thuash që Brazili, i cili u mund 7-1 nga Gjermania, paska qenë e trukuar, në bazë të kësaj organizate. Studioja ligjore e jona në Shqipëri do të bashkëpunojë me një në Belgjikë, ku është qendra e ‘Federbet’, që të bëjnë gati aktpadinë për t’i kërkuar një dëmshpërblim rreth 30 milionë euro. Na ka shkaktuar një dëm imazhi shumë të madh. Nëse nuk gjejmë akord me këtë studio, do flasim me atë studio ligjore që mbrojti Shqipërinë kundër Serbisë. Është e pafalshme, absurde dhe e nxitur nga konkurrentët tanë në Shqipëri”.

Gjici këmbëngul edhe tek ideja, që në fakt është e gabuar, sepse nuk mund të realizohet, për të hequr Kukësin nga kuotimi në tregun e basteve: “Kam biseduar me studio ligjore që t’i kërkojmë UEFA-s që të mos kuotohemi në baste. Do të isha shumë i kënaqur nëse realizohet ligjërisht”. Ligjërisht kjo gjë është e pamundur, ndaj te Kukësi bëjnë mirë të vazhdojnë luftën kundër Federbetit, pasi realisht aty kanë shanse të mëdha ta fitojnë betejën ligjore.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.