Olsi Avdiaj
Të gjithë në pritje! Duke filluar nga Mirel Josa, stafi teknik, lojtarët dhe përkrahësit. Ndërkohë që presidenti i Tiranës, Refik Halili e ka me nge, shikon nga afër volejboll femrash, ndërsa te Tirana deri mbrëmë kishte heshtje totale. Heshtje për çështjen e trajnerit dhe për sezonin e ri. Burime pranë presidencës dhe trajnerit bardheblu bëjnë me dije se palët presin përgjigjet përfundimtare nga njëri-tjetri. Në takimin e zhvilluar dy ditë më parë, presidenti Refik Halili nuk ka ndarë asgjë.
Më saktë, trajneri Mirel Josa pret që presidenti të bëjë një nga dy gjërat që janë opsion në tavolinë! Ose t’i thotë që bashkëpunimi mbaroi, ose të vazhdojë të punojë. Deri dje në mbrëmje asnjëra prej këtyre dy opsioneve nuk ishte ekzekutuar. Fakti i vetëm interesant nga Tirana dje ishte shfaqja e Refik Halilit në ndeshjen e volejbollit të kombëtares së femrave të Shqipërisë që luhet tek Pallati i Sportit të Qendrës Olimpike. Sa për Tiranën, asgjë. Mësohet se sot mund të jetë një ditë vendimtare për të ardhmen dhe marrëveshjen e re mes Refik Halilit dhe Mirel Josës. Sot do të ndahet gjithçka përsa i përket qenësisë së trajnerit në krye të Tiranës, apo jo. Nga të dyja palët ka vetëm heshtje dhe secila po luan me nervat e tjetrit për ta lodhur kundërshtarin. Dihet që Mirel Josa nuk jep dorëheqjen, ndërsa Refik Halili heziton ta shkarkojë për shkak të lekëve. Sesi do të shkojë rezultati, duhet të presim edhe pak orë. Një gjë është e vërtetë. Tirana në këtë moment është në ajër.
Mirel Josa është një nga trajnerët më të mirë në qarkullim në Shqipëri, por tek Tirana gjërat nuk i shkuan mirë. Në fakt Mirel Josa u afrua tek Tirana me premtime të mëdha. I thanë që në janar do të kishte merkato të madhe, por në fund rezultoi që klubi ishte i dënuar nga FIFA. Zyrtarët e klubit u shfajësuan se nuk e dinin këtë fakt, por dyshimi në mendjen e Josës mbeti. Ka nga ata që e sulmuan dhe po e sulmojnë nga brenda Mirel Josën. Shkak rezultatet që nuk pati në ekip. Fakt është se ai në karrierën e tij ka rezultatet më të ulëta te bardheblutë. Por nuk është faji i Josës që gjërat po shkojnë keq. Prej muajsh po mundohet të ndërtojë një ekip me të rinj. Faji i tij është se Tirana i ngeli në dorë. Prej një jave ai kërkon të dijë të ardhmen, por Refik Halili hesht dhe vetëm hesht.