Nuk është një garë kush ka të drejtë e kush jo, por tifozët nuk i mbajnë asnjë mëri Sebino Plakut. Sulmuesi, duke folur për “Sport Ekspres”, lëshoi deklarata të forta, duke shigjetuar trajnerin Ilir Daja, i cili sipas tij nuk e ka respektuar dhe nuk i ka dhënë atë që meriton.
Trajneri, por edhe presidenca, kanë minimizuar gjithçka, duke menduar vetëm për Dinamon e Zagrebit, por natyrisht ja qenë një rrufe në qiell të hapur, edhe pse realisht Plaku ka kohë që nuk është i lumtur, duke iu kthyer edhe episodeve nga e shkuara.
Megjithatë, tronditja në ambientin bardhekuq nuk ka ndikuar te tifozët, ose të paktën një pjesë e tyre, që në stërvitjen e sotme kanë shpalosur një parullë ku i shprehin dashurinë sulmuesit që këtë verë ka shënuar dy gola jetikë në Europa League, duke u kthyer në hero për Skënderbeun.