Gjatë merkatos së verës, kur e afroi nga Salcburgu, Igli Tare premtoi se i siguroi Lacios shërbimet e një lojtari të madh. Koha i dha të drejtë, sepse pas startit disi të vështirë për shkak të dëmtimeve, tashmë Valon Berisha ka bërë tifozët e skuadrës të dashurohen.
Ylli shqiptar u votua si “Lojtari më i Mirë” i muajit tetor nga mbështetësit e skuadrës. Në sondazhin e organizuar nga klubi në rrjetet sociale, Berisha mori plotë 12 mijë vota, duke fituar garën për këtë çmim përballë dy prej emrave më të rëndësishëm në skuadër, Imobile dhe Parolo.
Një arritje e jashtëzakonshme për 25-vjeçarin, edhe sepse tetori ishte muaji kur më në fund ai arriti të debutonte me Lacion. Pak javë, i mjaftuan lojtarit të përfaqësueses së Kosovës, të konfirmojë kualitetin e tij të padiskutueshëm dhe të kthehet në idhullin e tifozëve, por edhe në një prej pikave të forta të skuadrës së Inzagit.
Në faqen e tij në “Instagram”, mesfushori i falënderoi të gjithë për mbështetjen: “Faleminderit të gjithë atyre që më votuan, e çmoj shumë. Forca Lacio”. Tashmë mbetet për t’u parë nëse trajneri do ti besojë një vend titullari edhe në ndeshjen ndaj Spal, por e sigurt është që te Lacio kanë një “armë” më tepër drejt objektivave sezonale.