“T’i thyej kockat, ty dhe gruas tënde”, Westbrook zbulon shkakun e tërbimit

Ndeshjet e kampionatit amerikan të basketbollit dhuruan spektakël si gjithmonë, por edhe grushte mes lojtarëve dhe konflikte me tifozët. Serge Ibaka dhe Marquese Chriss përdorën duart mes tyre në ndeshjen Toronto Raptors-Cleveland Cavaliers dhe të dy lojtarët u përjashtuan nga loja.

Megjithatë, ajo që ka bërë bujë dhe që ka shkaktuar shumë polemika në SHBA është ngjarja e ndodhur në ndeshjen Utah Jazz-Oklahoma City Thunder. Miqtë fituan me rezultatin 89-98, me Russell Westbrook (23 pikë, 8 asiste, 11 rikuperime), i cili ishte në lartësinë e duhur. 30-vjeçari pati problem me publikun vendas gjatë gjithë ndeshjes. Një gjë e tillë i kishte ndodhur dhe gjatë prillit të kaluar në ndeshjet “play-off”.

Një moment Westbrooke nuk duroi më dhe iu kthye një tifozi, i cili po e ofendonte lojtarin papushim. “Ti mendon se unë po luaj, por të betohem në Zot që t’i thyej kockat, ty dhe gruas tënde”. Një kërcënim i tillë është kapur në video nga Eric Woodyard, një gazetar i “Desert News”. Ky i fundit ka postuar videon në rrjetet sociale, aty ku kanë shpërthyer polemikat e shumta.

Basketbollisti është mbrojtur, duke shpjeguar me detaje incidetin e ndodhur. Numri 0 pretendon se është ofenduar me shprehje raciste dhe nuk mund të toleronte diçka të tillë.

Kam marrë fyerje raciste dhe nuk mund t’i pranoj ato. Natyrisht që të gjithë komentojnë në bazë të videos së publikuar, por nuk shihet se si nisi e gjitha kjo. Një djalë i ri dhe gruaja e tij m’u drejtuan me fjalët: ‘qëndro i gjunjëzuar, ashtu siç je mësuar gjithmonë’. Nga këndvështrimi im, ky është një koment që ka doza racizmi dhe përbuzje. Në Utah ka shumë tifozë pasionantë, të cilët vijnë shohin ndeshjen dhe zbaviten, por ka edhe nga ata që vijnë vetëm për të më ofenduar mua dhe familjen time.”

Kam bërë gjithçka mirë për shumë vite, pa krijuar asnjë problem me askënd. I kam qëndruar larg problemeve dhe nuk kam patur asnjë problem me tifozët në 11 vite në NBA. Kam marrë kritika pafund, por nuk jam i gatshëm të pranoj ofendime personale plot përbuzje dhe urrejtje. Nëse do të ndodhem përsëri në një situatë të tillë, nuk do të hezitoj të them të njëjtat gjëra. Nuk do të merrem kurrë me një grua dhe nuk do të ngre kurrë dorë kundrejt saj, por në momentin kur burri i saj po më ofendonte, ajo nisi të përsëriste të njëjtat gjëra.”

Tifozi i përfshirë në këtë çështje quhet Shane Keisel dhe ai mohon që të ketë ofenduar lojtarin e Oklahomës. Edhe klubi i Utah Jazz ka reaguar për ngjarjen, duke thënë që po heton atë çfarë ka ndodhur, ndërsa bën thirrje për një klimë më të mirë midis lojtarëve dhe tifozëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *