Teuta ishte e detyruar që ndeshjen me Tiranën ta luante në një fushë neutrale. Shkak ishte bërë mbjellja e fushës në stadiumin “Niko Dovana”. Sigurisht që për t’u krijuar komoditet sa më të mirë lojtarëve, drejtuesit kishin menduar që të sakrifikonin një ndeshje, të cilën e fituan edhe pse e zhvilluan në Shijak.
Ka zgjatur pak “emigrimi” i “djemve të detit”, të cilët duke nisur nga ndeshja e radhës me Luftëtarin do të luajnë në shtëpinë e tyre. Drejtuesit kishin bërë një zgjedhje të kujdesshme, pasi gjatë periudhës që u mboll tapeti skuadra kishte në kalendar më shumë ndeshje jashtë sesa brenda.
Sot, faqja e Teutës ka njoftuar se stadiumi është gati dhe pushimi për ndeshjet e Kombëtares ka krijuar komoditetin që tapeti të jetë në gjendje optimale për të pritur ndeshjen e javës së 14-të mes Teutës dhe Luftëtarit. Një lajm i mirë dhe për sportdashësit durrsakë që duhet ta mbështesin më shumë skuadrën, e cila këtë edicion duket një pretendente për zonën europiane.