Teuta ka humbur tre ndeshjet e fundit dhe kërkon të bëjë kthesën. Durrsakët kanë një ndeshje të vështirë me Tiranën, por në “Niko Dovana” kanë treguar se nuk mposhten kollaj. Gjithsesi tre pikët janë ato që kënaqin më së shumti trajnerin Bledi Shkëmbi dhe drejtuesit e klubit. Në takimin e nesërm me bardheblutë do vijojë të mungojë sulmuesi Tomislav Bushiç, por edhe mbrojtësi Renato Arapi. Fatmirësisht rikthehet i gatshëm Esin Hakaj, i cili në Vlorë nuk ishte për shkak kartonësh.
DEKLARATA – Në prononcimin e dhënë për Supersport, Shkëmbi vlerëson kundërshtarin: “Tirana është ekip me vlera, me lojtarë të mirë. Kanë luajtur mirë, ashtu si ne, por nuk kanë marrë rezultatet. Do jetë si një finale për të kaluar këtë situatë. Uroj të fitojmë ne”.
Korçari, është i qartë kur flitet për objektivin e skuadrës së tij: “Luajmë për të fituar, pastaj futbollit nuk i dihet në fund. Do mundohemi të luajmë mirë, futboll sulmues. Do jemi ‘OK’ me veten nëse nuk do të jemi fat. Tani na duhen pikët”.
Kualifikimi në kupat e Europës është synimi kryesor dhe Shkëmbi ka besim se mund t’ia dalin, edhe pse Flamurtari i ka kaluar në renditje. “Jam optimist, siç kam qenë edhe më parë. Që në fillim e dinim se do të ishte një rrugë e vështirë. Ky moment është më i vështirë se e kemi menduar. Po na zgjat më shumë se duhet kriza. Gjithsesi jam optimist, pasi kemi një grup të mirë lojtarësh”, u shpreh Shkëmbi.