Teuta një ditë më parë ka arritur marrëveshjet me dy mbrojtës krahu. I pari nënshkroi Blagoja Todorovski, i cili luan në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe zëvendëson Erlis Frashërin e larguar drejt Gjilanit. Durrsakët tashmë kanë bërë një lëvizje edhe për krahun e majtë.
Aleksandros Kuros është ai që do të jetë pjesë e Teutës edhe për një sezon. Mbrojtësi nga Kuçova, i cili ishte pjesë e Kërkyrës në Greqi, ka pranuar ofertën e durrsakëve dhe ka firmosur. Gjatë kësaj vere ai ka qenë në bisedime edhe me Kukësin.
Verilindorët nuk kanë kënaqur kërkesat financiare të mbrojtësit 25-vjeçar. Në të shkuarën ai ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Greqisë, deri te 21-vjeçarët. Kuros është aktivizuar në Superligën greke me skuadra si Panionios, Atromitos, Iraklis dhe Apolon Smirnis.