Testi me Laçin vendos për të ardhurit te Vllaznia

Pritet edhe miqësorja e sotme, që më pas trajneri Armando Cungu të marrë një vendim për ata që janë në provë te kuqeblutë

Gaspër Marku

Vllaznia do të luajë sot pasdite miqësoren e parë të kësaj periudhe përgatitore verore. Takimi është planifikuar të luhet në transfertë, përballë skuadrës së Laçit, duke filluar nga ora 18:00. Të paktën kështu është njoftimi, që vjen nga zyrat e klubit të futbollit Vllaznia, që në fakt është bërë i ditur dhe dje pasdite për mediet. Lajmi në fjalë është pritur mjaft mirë edhe nga opinion sportiv shkodran. E nga sa mësohet, falë edhe afërsisë gjeografike që Shkodra ka me Laçin, një pjesë e mirë e tifozerisë kuqeblu pritet të udhëtojë drejt qytetit fqinj për të ndjekur nga afër këtë përballje të parë miqësore të skuadrës së tyre. Miqësorja me laçianët vjen në një moment, kur skuadra ka hyrë në javën e tretë të stërvitjeve, që po i kryen në Shkodër. Dhe për teknikun Armando Cungu ndoshta është momenti më i favorshëm për të parë parametrat e futbollistëve të tij. Ballafaqimet brenda grupit trajneri Cungu thuajse i ka eksperimentuar në fund të çdo seance stërvitore, me një minutazh të caktuar. Miqësorja e sotme pritet t’i shërbejë atij për të parë realisht, jo vetëm ecurinë e kontingjentit të kuqebluve që ka nën kontratë, por dhe për të parë tre të ardhurit në provë. Është fjala për portierin Ndriçim Kojeli, sulmuesin boshnjak Nedo Turkoviç dhe mesfushorin kosovar Alban Ramadani. Megjithatë, përpos këtyre, me interes për stafin kuqeblu, por edhe tifozerinë shkodrane, pritet edhe aktivizimi i Edon Hasanit. Stërvitja Në pritje të miqësores së sotme, kuqeblutë vijuan edhe pasditen e djeshme me seancën stërvitore të radhës. Në dispozicion të trajnerit Cungu kanë qenë të gjithë ata futbollistë, që u panë të stërviten një ditë më parë. Pjesë e këtij kontingjenti ishin edhe tre të ardhurit për provë, Kojeli, Ramadani dhe Turkoviç, fati i të cilëve pritet të vendoset në miqësoren e sotme. Në ndryshim me ditët e mëparshme, dje është parë që stafi teknik është marrë më shumë me reparte të veçantë, duke u pozicionuar në një farë mënyre edhe me emrat, që pritet të shfaqen në fushën e lojës nga minuta e parë në ndeshjen miqësore, që do të zhvillohet sot në Laç. Ashtu si edhe ditët e tjera, i pranishëm në seancën e skuadrës kuqeblu ka qenë drejtori sportiv Eugent Zeka, i cili, krahas konsultimeve me trajnerin Armando Cungu, është parë të komunikojë edhe me të huajt e ardhur për provë. Në përfundim të seancës së djeshme, futbollistëve u është bërë me dije se sot Vllaznia do të zhvillojë takimin miqësor me Laçin në fushën e këtij të fundit. Nisja nga Shkodra është planifikuar në orën 15:30, në mënyrë që skuadra të jetë gati për ballafaqimin e orës 18:00, në stadiumin e Laçit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online