Jemi në javën e dytë të testeve në Barcelonë, ku skuderitë e Formula 1 po bëjnë testet e fundit para nisjes së sezonit më 17 mars në Australi. Kanë zbritur të gjitha makinat në pistë, ku Ferrari me të dy pilotët e saj ka realizuar numrin më të madh të xhirove.
Rivalët kryesorë të kokëkuqes, Mercedes, nuk janë paraqitur në nivelin e pritur. Kjo edhe për faktin se ata janë treguar të fshehtë rreth të dhënave të makinës. “Shigjetat e argjendta” pritet të tregojnë potencialin e tyre të vërtetë më vonë, me qëllim për të qenë sa më të befasishëm.
Diçka e veçantë që është vënë re deri tani, është se skuadrat nuk i kanë vënë rëndësi xhirove të shpejta, por rezistencës së motorrit. Ferrari ka përformuar më mirë deri tani.
Edhe këtë sezon protagonistët pritet të jenë të njëjtit, me Mercedesin dhe Ferrarin që i japin tonin kampionatit. Vetel dhe Hamilton do synojnë edhe këtë vit ta bëjnë të tyrin titullin, pa harruar edhe të riun Leklerk, i cili do përpiqet të tregojë gjithë potencialin e tij.