Në Pukë ka ditë që ka nisur festa për ngjitjen në Kategorinë e Parë, falë një galopi të pandalshëm dhe distancës prej 6 pikë nga Luzi ndjekës, që duket mëse e mjaftueshme për të qenë të qetë.
Megjithatë, matematika nuk është dakord me pukjanët, sepse në dy ndeshjet e mbetura të serzonit, kundër Vllaznisë B dhe Sopotit, duhet një pikë për të qenë zyrtarisht në të Parën.
Për këtë arsye, sfida e fundjavës në Pukë merr rëndësi të veçantë, jo vetëm se është ndeshja e fundit shtëpiake për këtë sezon, por edhe sepse synohet mbyllja me festë, që do të ishte edhe një hakmarrje e vogël.
Në 9 dhjetor në Shkodër Vllaznia B fitonte 2-1 dhe i shkaktonte Tërbunit humbjen e vetme deri tani në kampionat, në një moment kur kreu dukej i sigurt.
Pikërisht ajo disfatë djeg ende në Pukë dhe trajneri Oltijon Kërnaja për “SportEkspres.com” deklaron: “Të ngjitur në Kategorinë e Parë nuk jemi ende matematikisht, ndaj duhet ta vlerësojmë në maksimum ndeshjen e fundjavës. Normalisht, ka eufori në skuadër, sepse po mbyllim një sezon fantastik, ku kishim disa rivalë në garën për kreun dhe vështirësitë shtoheshin.
“Megjithatë, është momenti i së vërtetës dhe nuk mund të hedhim poshtë një sezon të tërë. Ndaj Vllaznisë B nuk e shohim si ndonjë hakmarrje, është thjesht futboll dhe ata na mundën në Shkodër, por natyrisht luajmë në shtëpi dhe duhet të tregojmë se nuk jemi inferiorë ndaj askujt, as ndaj ekipve B, që shpesh luajnë me lojtarë të ekipit të parë. Përkundrazi, me ekipe të përforcuar, si na ndodhi me Partizanin B, skuadra përqendrohet dhe jep edhe më shumë se zakonisht“.
Një fitore është detyrim edhe për tifozët, sepse në Pukë do të jetë një atmosferë fantastike: “Ua kemi borxh tifozëve një fitore, si mbyllje për një sezon që duhet konsideruar si kalimtar dhe nuk duhet përsëritur më, sepse Tërbuni duhet të mësohet me idenë që nuk mund të zbresë më në Kategorinë e Dytë. Mentaliteti është kryesori në futboll dhe lojtarët e tifozët duhet të kenë ambicien për më lart, natyrisht nëpërmjet rezultateve dhe lojës në fushë. Jam i sigurt se në fundjavë stadiumi do të jetë i mbushur, do të mundohemi t’i falënderojmë me fitore“.