“Tërbohet” Mema: Luhet në tavolina, të kënaqen provincialët

Ardian Mema nuk përmbahet pas ndeshjes që Tirana humbi me Flamurtarin. Në analizën e tij theksoi se luajtën mirë, por u duhen pikët. Ndër të tjera tha se luhet në tavolina, por nuk përmend emra. Gjithsesi deklarata e tij është e rëndë, edhe pse thuhet pas ndeshjes ku edhe tensioni është i lartë.

“Kemi luajtur, por nuk kemi marrë rezultate. Në një moment ekipi profesionist duhet të shënojë, sikurse bëri Flamurtari. Na bën mirë të fitojmë, jo të luajmë mirë. Ndeshjet në Shqipëri fitohen edhe me episode”.

“Ndoshta ana psikologjike ndikon. Para ndeshjes me Laçit i provova të gjithë në penallti dhe nuk kemi goditës të mirë. E konstatova. Sot caktova dikë tjetër dhe më rezultoi keq. E caktova para ndeshjes, por ka këmbëngulur Imami. Tha se kishte besim se do shënonte dhe gaboi”.

“Kriza e rezultateve na rëndon psikologjikisht. Nuk është se ekipi nuk luan, bëmë më mirë se Vlora. Loja ishte me episode, kush shënonte fitonte. Kishim mundësi me rastet që kishim. Ndeshja që u luajt në Fushë-Krujë ndikoi negativisht. Ka ardhur koha të luhen ndeshjet në një orar. I pashë lojtarët të pezmatuar pa nisur ndeshja. Kjo ka krijuar një stres brenda ekipit. Na duhet të bëjmë llogaritë tona, u kam thënë edhe lojtarëve”.

“Ndeshjet vendosen nga episodet, por edhe nëpër tavolina. Kjo duhet thënë. Le të luajmë futboll, të luajnë provincat dhe të kënaqen provincialët. Ne i pranojmë të tria rezultatet. Shkojmë me të drejtë të Zotit. Këtu është provincë dhe vazhdojnë provincat”.

“Kam ardhur në mes të kampionatit, këta lojtarë kam gjetur. Penalltia? Janë momente delikate tonat. Kur një lojtar është i bindur edhe ti si trajner krijo besim te vetja. Ka të bëjë me mentalitetin fitues që ky klub i madh duhet të ketë. Nuk duhet të ketë lojtarë që justifikohen dhe trajnerë që justifikohen. Duhet të dalim mbi veten, ta kalojmë këtë situatë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *