Juventus ka arritur akordin me Aron Ramsej dhe mesfushori do të zbarkojë në Torino në fund të sezonit, atëherë kur i skadon kontrata me Arsenalin. 28-vjeçari ishte një ndër lojtarët më të kërkuar në merkato, por bardhezinjtë kanë arritur të bindin lojtarin për të vazhduar karrierën me ekipin e Alegrit.
“Topçinjtë” janë të vetëdijshëm prej kohësh për faktin e largimit të Ramsejt, por ata kanë bërë tentativën e fundit për të fituar diçka prej tij. “Tuttosport” raporton se klubi anglez i ka kërkuar Juventusit 22 milionë euro për të marrë uellsianin që në janar, por “Zonja e Vjetër” e ka refuzuar këtë propozim.
Drejtuesit e Juves janë shprehur se nuk u intereson kjo ofertë, edhe për faktin që kanë një akord me futbollistin. 22 milionë euro mund të kursehen dhe Ramsej do të vijë në verë në Torino me parametra zero, ndërsa Arsenali humbet përfundimisht shërbimet e një prej lojtarëve kryesorë të ekipit pa fituar asnjë qindarkë.