“Te kombëtarja vij në 3 të natës, ja ç’vend do zinte Shkëndija në Superiore”

Gledi Mici la këtë verë Superioren dhe iu bashkua Shkëndijës së Tetovës. me kuqezinjtë në fund të sezonit synon të fitojë titullin kampion, ndërkohë që në një intervistë të dhënë për “Supersport” ai ka bërë një vlerësim për klubin tetovar.

“Jam i mjaft i kënaqur dhe kam përshtypjet më të mira nga Shkëndija e Tetovës. Që kur ika në fillim kisha dëgjuar fjalë mjaft të mira për atë klub dhe kur mora ofertën nuk hezitova. Firmosa direkt, pasi gjithë kohën kanë qenë korrekt me lojtarët. Pak a shumë i ngjason një ekipi evropian nga ana organizative dhe nga çdo gjë”, shprehet fillimisht Mici.

NISJA JO E MIRË – Mbrojtësi i majtë pranon që pas ndeshjeve të Europës e ndjenë disi lodhjen dhe kjo ndikoi, ndërkohë që nuk e vë në diskutim titullim kampion. “E nisëm jo mirë kampionatin, shkuar deri në -7 pikë me rivalin e vendit të parë. Mendoj se ndikuan ndeshjet në Champions League dhe ndeshjet në Europa League. Patëm një lodhje dhe në kampionat nuk po jepnim maksimumin. Kur u eliminuam nga ‘play-off’-in i Europa League, atëherë nisëm të mbledhim  energjitë dhe fituam shumë ndeshje. Tani jemi pesë pikë përpara Vardarit”.

“Titulli? Futbollit nuk i dihet asnjëherë, por unë kam 100% besim se titullin e merr Shkëndija. Gjithsesi duhet të jemi serioz çdo javë dhe ta fitojmë këtë titull. Ky është objektivi primar dhe do Zoti më pas shkojmë në grupet e Europa League”.

KRAHASIMI MES KAMPIONATEVE – “Besoj se diferencat janë të pakta. Kampionati shqiptar është më i fortë fizikisht dhe skuadrat kanë tendencë të marrin rezultat dhe ta mbajnë portën zero. Kampionati maqedonas është më sulmues dhe ka lojtarë të rinj premtues. Gjithashtu janë më teknikë”.

GARA NË SUPERIORE – “Shumë skuadra janë dobësuar, nuk është më ai Skënderbeu që dominonte. Partizani është po ai ekip, kurse Kukësi është dobësuar. Ata nuk luajnë as në shtëpinë e tyre. Besoj se Shkëndija do të ishte në vendin e parë në kampionatin tonë. Cilësia ka rënë, por kampionati mbetet i fortë. Kjo pasi nuk ka një skuadër që bën diferencën”.

SKËNDERBEU – “Shehi ka bërë një punë të mirë, nuk është e lehtë kur të ikin 8-9 lojtarë të formacionit. E nisën mirë kampionatin, duke qenë në vend të parë dhe të dytë. Gjithsesi kampionati ka ulje-ngritje, por unë e besoj që Skënderbeu do të jetë lart, minimalisht për Europa League”.

KOMBËTARJA – “Nuk më vjen keq, unë jam gati për kombëtaren sikur të më thërrasin edhe në tre të natës. Kjo është ëndërr e çdo futbollisti. Thjesht pres mundësinë time. Nëse vjen do jem më i lumturi, nëse jo, jeta vazhdon”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *