Të gjitha verdiktet që u mësuan nga java e dytë e Kategorisë Superiore 

1- “Dy gjelat në një kotec nuk qëndrojnë”, Kukësi e provoi që me ndeshje të parë.

Ardhja e Kristal Abazajt te Kukësi është padyshim një forcë më shumë për verilindorët. Por në këtë skuadër kishin harruar pikën më të rëndësishme: “Dy gjela, nuk mund të qëndrojnë kurrë në një kotec”. Futbollisti i ardhur nga Anderlehti debutoi në pjesën e dytë, ndërsa u largua Gavazaj. Duke goditur fushën me këmbë dhe pankinën me grusht, Gavazaj ka ngritur edhe shumë pikëpyetje me vetveten për situatën që po kalonte, nëse ishte ajo e merituara. Sulmuesi 24-vjeçar mbërriti te skuadra e Duros me sigurinë se do të ishte i paprekshëm në formacion, por e sheh veten duke “shtrënguar dhëmbët” që në javën e dytë. Pavarësisht se mbeten miq të mirë jashtë fushës së blertë, karriera po i përplas në një moment të vështirë që të luftojnë edhe për një vend. Llogjikisht është Gavazaj që duhet të ketë përparësinë, pasi Abazaj sapo ka mbërritur dhe në formën e huazimit, duke shpresuar për një ekip tjetër në të ardhmen. Gjakrat do të ulen disi, por kjo situatë do të vazhdojë te Kukësi edhe në heshtje. Fundja, “në kotec duhet të kakarisë gjithmonë vetëm një gjel”.

2- Kush e largoi Skënderbeun nga gara e kampionatit? Kishte harruar Ilir Dajën dhe…”urinë e madhe”!

Kur nisën analizat për sezonin e ri të kampionatit shqiptar, ndërsa ende nuk ishin zhvilluar ndeshjet e para, Skënderbeu u nxorr nga gara e fitimit të Superiores. Ajo periudhë e vështirë që u kalua me çështjen e Europës ishte arsye e mjaftueshme për t’i nxjerrë jashtë loje. Por sigurisht që këtu u harrua se bëhej fjalë për ekipin që do e drejtojë Ilir Daja. Padyshim që flitet për trajnerin më të mirë në Shqipëri të momentit, që shkon përtej rezultatit. Ky teknik ka zbatuar gjithmonë një llogjikë të qartë në lojën e tij, duke kërkuar që lojtarët të qarkullojnë topin dhe të dalin te goli në mënyrë graduale, jo duke i varuar shpresat vetëm në goditjet standarte apo rastësitë. Aftësitë e tij i tregoi edhe me motivimin që i bëri futbollistëve, për t’ia përmbysur rezultatin Laçit në pjesën e dytë. Pa harruar këtu edhe “urinë e madhe” që kanë në Korçë për të fituar një kampionat pas gjithë asaj që përjetuan.

3- Flamurtari ka transferuar dy skuadra për të marrë 0 pikë. Kur janë pushimet për t’u njohur?

Të transferosh futbollistë të shumtë në numër nuk është gjithmonë një arritje pozitive për një skuadër. Fillimisht duhet të shihet për emrat që bëhen fjalë, për ekipet ku kanë luajtur dhe cilësitë që zotërojnë. Pa harruar faktin se kërkohet edhe koha e nevojshme për ambientimin e tyre. Por në Vlorë janë ngritur pikëpyetje të mëdha në të gjitha drejtimet, sa i përket merkatos së Flamurtarit. Rreth 20 lojtarë ishin zyrtarizuar për 15 ditë në këtë skuadër, që praktikisht ka marrë dy ekipe gjatë kësaj periudhe, por numërojnë 0 pikë në tabelë. Humbja e parë minimale ndaj Skënderbeut, për të mbërritur te dorëzimi pa kushte ndaj Kukësit. Në këtë moment duket se të gjithë lojtarët janë me sytë nga pushimet e Kombëtareve, për të fituar pak qetësi dhe për të njohur më tepër njëri-tjetrin. Me fytyra të reja që paraqiten çdo ditë te Flamurtari, është e pamundur që të pritet më shumë se kaq.

4- Titulli kampion u kthye në “humor motivimi” te Laçi, po Europa…a është e vërtetë?

Laçi e ka nisur në mënyrë të mbrapsht gjithashtu kampionatin shqiptar, ndërsa numëron 0 pikë në 2 takimet e para. Vllaznia e theu në “Loro Boriçi”, ndërsa Skënderbeu e përmbysi në një takim që për disa momente dukej sikur e kishin në dorë. Shumë prej aktorëve kryesorë të Laçi u shprehën se ekipi i tyre do të luftonte për titullin kampion. Megjithatë pas 180 minutash të zhvilluara, trajneri Starova u shpreh se Laçi nuk mund ta fitojë Superioren, ndërsa kjo ishte gjetja e tij për të mbajtur të karikuar futbollistët që të luanin në nivele të larta. Sigurisht, e thënë në një realitet tjetër futbolli mund të kthehej edhe në qesharake, shumë madje. Pasi në Itali, Angli, Gjermani dhe vende të tjera ku futbolli është në maja, një ekip që shpreh ambicien e hapur për të luftuar për titullin kampion, ka financa të forta dhe projekt të qartë për ta arritur. Por në këtë rast u mendua të përdorej si taktikë në rritjen e vetbesimin për lojtarët, megjithëse nuk rezultoi edhe shumë efektive. Gjithsesi Starova ka thënë se objektivi kryesor i Laçit mbetet ai tradicionali, Europa. Edhe kjo duket motivuese, të paktën për momentin! /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online