Igli Tare nuk ndalet dhe vazhdon të bëjë atë që di të bëjë më së miri. Të gjejë talente të rinj me potencial të madh. Pastaj marrja e tyre te Lacio dhe shndërrimi në lojtarë të mëdhenj që i kërkojnë klubet e mëdha të Europës. Pak a shumë si rasti i Milinkoviç-Saviç.
Për këtë të fundit duhen derdhur 155 milionë euro në llogaritë e bardhekaltërve, përndryshe serbi vazhdon në Romë. Nëse dikush paguan këtë shumë dhe arrin akordin me mesfushorin, Tare ka gati zëvëndësuesin e tij dhe ai është Kei Havertz. Mesfushor gjerman që luan me Leverkusenin dhe vetëm 19 vjeç. Tare është i dashuruar mbas këtij lojtari dhe është gati për të paguar 30 milionë euro për shërbimet e tij.
Havertz debutoi në vitin 2016 me ekipin e aspirinave, duke u bërë lojtari më i ri në historinë e klubit, i cili debuton në Bundesligë dhe më i riu që ka shënuar për klubin në kampionat. 17 vjeç e 126 ditë ishte Kei, kur debutoi në fitoren përballë Verder Bremen me 15 tetor 2016. Ai numëron 54 ndeshje dhe 7 gola me gjermanët dhe për momentin aktivizohet dhe me kombëtaren U-19 të Gjermanisë.
Tare vazhdon tratativat me Bajer Leverkusen prej dy muajsh dhe nëse dikush vendos të paguajë shumën e kërkuar për Milinkoviç-Saviç, Tare do niste sulmin final për Kei Havertz.