Lindon Selahi nuk do të jetë më pjesë e Standartit të Liezhit në kampionatin belg. Mesfushori i lindur në Belgjikë që nga sezoni i ardhshëm do të luajë me holandezët e Tuentes. Ata janë një klub me një histori të madhe në “Eredivise”, por që po përjetojnë një periudhë të errët.
Ky vit ishte shumë i vuajtur, pasi iu desh të luanin në kategorinë e ulët holandeze. Makthi mori fund, pasi ata siguruan një biletë për në elitën e futbollit vendas për sezonin që vjen. Kështu Selahi do të ketë mundësinë të aktivizohet në një kampionat më të fortë dhe prestigjoz. Kjo lëvizje mund të quhet një ngjitje në karrierën e 20-vjeçarit.
Selahi është i pajisur me pasaportë shqiptare dhe ka pranuar të veshë ngjyrat kuqezi. Talenti regjistron pesë ndeshje me grupmoshat e U-17 dhe dy të tjera me kombëtaren U-21. Ai është produkt i Standardit, klub ku ka hedhur hapat e para të karrierës. Në një prononcim të shkurtër djaloshi duket i lumtur për transferimin në Holandë.
“Tuente është një klub i madh me një histori të pasur dhe që të jep mundësinë të luash në një stadium të madh. Jam i lumtur që janë kthyer në nivelet më të larta. E ardhmja ime është këtu dhe do të jap më të mirën time për të kënaqur klubin dhe tifozët”, u shpreh Selahi.