Taku: Me Skënderbeun në Europë, më pas të shohim

 

Kryeqytetasi sqaron marrëveshjen e fundit, duke pohuar se pas ndeshjeve europiane do të flasë sërish me drejtuesit korçarë

Leonard Trebicka

Afrim Taku u vu në shënjestër të disa skuadrave të Superligës, pas mbylljes së sezonit të fundit. Por ai zgjodhi korçarët, ku ribashkohet me trajnerin Ilir Daja, vendimtar në zgjedhjen e mesfushorit. Gjithsesi, siç thotë vetë Taku, akordi aktual është vetëm për ndeshjet europiane, me mundësin për të vazhduar me Skënderbeun, por për këtë do të ketë bisedime të tjera. “Dua të sqaroj se te Skënderbeu jam vetëm për Europën, më pas do të ulem të flas me presidentin e këtij ekipi. Për të ardhmen nuk kam vendosur”, – sqaroi mesfushori Afrim Taku në një intervistë për “Sport Ekspres”. Në fakt, ai është prezantuar si blerje për sezonin e ri, por marrëveshjen e zbulon vetë lojtari, i cili siguron korçarët vetëm për Europën, pasi më pas nuk i dihet. Ja intervista e plotë e Takut:

– Taku, një ditë më parë keni firmosur me Skënderbeun dhe jeni prezantuar zyrtarisht. Si ndiheni?

– Ndihem vërtet mirë, që kam firmosur për Skënderbeun, por dua të sqaroj diçka. Kam firmosur vetëm për ndeshjet e Europa League. Dua të them se do të jem për ndeshjet europiane së pari dhe më pas do të ulem në tavolinë me presidentin Ardjan Takaj, me të cilin do të flas për të ardhmen. Nuk kam vendosur dhe nuk e di ç’do të bëj në të ardhmen.

– Çfarë ju bindi të visheshit bardhekuq, për Europën, siç po thoni?

– Më bindi korrektësia e presidencës korçare, por edhe prania e trajnerit Ilir Daja këtu te Skënderbeu. Për këta faktorë jam sot këtu në Korçë.

– Në karrierën tuaj keni luajtur vetëm me Tiranën. Sa e vështirë ishte t’i lije bardheblutë dhe të vijë në Korçë?

– Ishte shumë e vështirë. Por duhet të bëj hapa përpara në karrierën time. Mund të isha edhe në ndonjë ekip tjetër, por ja që për momentin jam bardhekuq.

– Sa ndikoi rënia e Tiranës nga Superliga, që të largoheshit prej saj?

– U arrit një marrëveshje dhe duhet të ndryshoja për pak kohë ambientin, gjë që u bë realitet. Kaq mund të them.

– Te Skënderbeu ju prisnin në fakt pak më parë. Cila është forma fizike e Afrim Takut në këtë moment?

– Jam mirë në këtë drejtim. Vetëm një javë pushova, asnjë ditë më shumë. Me këtë dua të them se gjatë gjithë kohës kam qenë aktiv në stërvitje, madje kam bërë edhe dy seanca në ditë.

– Në kontratën tuaj, a ka një opsion, sipas të cilit, nëse doni të luani në Amerikë, do të liheni i lirë nga klubi korçar?

– Është edhe ky opsion. Nëse do të kem një ditë një ofertë nga një skuadër amerikane, do të shkoj atje. Nëse do të firmos për Skënderbeun edhe në vazhdim, pra për sezonin tjetër, ky opsion do të qëndrojnë.

– Te Skënderbeu gjeni Muzakën, një ish-bardheblu, por edhe trajnerin Ilir Daja. Një ambient pak familjar, apo jo?

– Po, ka pak Tiranë edhe këtu. Por nuk kanë qenë vetëm Daja dhe Muzaka bardheblu. Me Tiranën kanë qenë më parë edhe Sebino Plaku, Tefik Osmani dhe Sabjen Lilaj. Pra, jemi një grup lojtarësh, që kemi qenë pjesë e Tiranës, kështu që ambientimi nuk është fare problem.

– Në fakt, trajneri Ilir Daja ju kërkoi me ngulm…

– Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore, që jam te Skënderbeu. Trajneri Daja më njeh mjaft mirë, prandaj më donte te Skënderbeu dhe ja ku jam tani sërish me të në skuadër.

– Sot (dje) është dita e dytë e stërvitjes me fanellën bardhekuqe. Ju ka bërë përshtypje ndonjë gjë në Korçë?

– Më ka bërë përshtypje diçka në stërvitje, pasi kishte shumë tifozë që na ndiqnin. Interesimi ishte i madh. Kjo është një gjë shumë e mirë për të gjithë ne, pasi na mobilizon më shumë për ndeshjet e Europës.

– Vini te Skënderbeu, një ekip me disa tituj radhazi dhe që ka bërë histori në Europë. Sa ju ndihmon ku fakt në karrierën tuaj?

– Kjo është diçka shumë e mirë, pasi do të na ndihmojë shumë në të ardhmen mua dhe ekipin. Në fakt, nuk kam fituar ndonjë titull kampion te Skënderbeu, pasi luaj për herë të parë për të, por di të them që është një skuadër, që ka një grup shumë të mirë.

– Në mesfushë, ku luani edhe ju, ka shumë lojtarë. Mendoni se do ta fitoni shpejt formën fizike dhe të kapni formacionin?

– Kur ka konkurrencë, është shumë pozitive, sepse na bën më kompetitivë. Kështu, edhe rezultatet pozitive arrihen më thjesht.

– Si mendoni, sa larg do të shkojë ky Skënderbe në Europë?

– Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Të përqendrohemi vetëm te turi i parë, ta kalojmë atë dhe pastaj mendojmë për turin tjetër e kështu me radhë.

– Po kundërshtari i parë, Sant Julia nga Andorra, si ju duket?

– Nuk e njoh kundërshtarin e turit të parë të Europa League. Mendoj vetëm që duhet pasur vlerësim maksimal dhe, nëse do ta kemi, patjetër që do ta kalojmë.

– Trajneri Daja e ka projektuar formacionin për takimin e parë dhe ju mendohet ta nisni nga stoli. Kur mendoni se do të jeni gati për të luajtur titullar?

– Jam gati që tani, por për formacionin, nëse do të jem apo jo, e di vetëm trajneri Daja. Ai vendos për ata që dalin në fushë të parët.

– Cilët lojtarë njihni më shumë te skuadra korçare?

– Ata që përmenda edhe më sipër. Pra, Muzakën, Lilajn, Plakun, Osmanin, ata që kanë qenë te Tirana.

– Po tifozëve korçarë, keni diçka për t’u thënë?

– Të vetmen gjë që u them, i falënderoj shumë për mikpritjen dhe premtoj më të mirën për fanellën që kam veshur. Për këtë të fundit i garantoj.

– Së fundi, jeni i gatshëm të qëndroni te Skënderbeu edhe pas ndeshjeve të Europës?

– Nuk e kam vendosur në këtë moment. Opsioni i tanishëm është Europa me Skënderbeun, pastaj çdo gjë është e hapur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online