Skënder Gega, trajneri i Partizanit, ka dalë para mediave për të folur për ndeshjen e radhës me Kukësin dhe shumë çështje të tjera. “Kukësi ka qenë ndjekësi ynë konstant, asnjëherë para nesh, por ndjekësi ynë. E kemi vlerësuar këtë ndeshje, edhe pse e kemi fituar trofeun. Do luajmë me ekipin më të fortë. Duam të kënaqim tifozët dhe ta mbyllim më së miri. Do mundohemi të respektojmë ekipin që e ka sjellë Partizanin deri këtu”.
“Lojtarët që janë te kombëtarja bashkohen sot me ne. Ka qenë motivim dhe kënaqësi për ne. Grupi bëhet më i fortë me ta. Jemi stërvitur normalisht, si në fillim të kampionatit. Jemi profesionistë dhe të gjithë paguhemi të stërvitemi dhe të tregojmë vlerat, sikurse kemi bërë gjithë vitin”.
“Jemi të kënaqur dhe të lumtur, djersa e tyre është shpërblyer. Është pozitive që e ka bërë këtë zbor trajneri i kombëtares. E rëndësishme është që këto të katër kanë marrë frytet e punës së tyre. Ne jemi të kënaqur, ashtu si edhe shokët e tyre. Zgjedhjet i takojnë Rejës, por me rëndësi është që sheh kampionatin dhe duket se do t;i japë hakun secilit. Shpresoj që nga kampionati ynë të marrin shanse. Është detyra e tij të zgjedhë. Ai mundohet të bëjë përzgjedhjen më të mirë, ku është vështirë të futet kushdo. “Asani? Nuk ka ndikuar tek ai. Çdo lojtar që ka pasaportë shqiptare ka të drejtën morale të dëshirojë të bashkohet, sidomos kur ka shënuar gola. Është zgjedhja e Rejës”.
BATUTA E GJUNJËVE – “Gjoka dhe Gjici janë përgjegjës për çfarë ndodh te Kukësi dhe si janë gjunjët e Kukësit. Kjo ishte thjesht një batutë e një presidenti që ka vite në Superiore dhe ka sjellë disa risi ndër vite. Unë e kam thënë me parë që koha do të tregonte si i kishim gjunjët”.
TAKIMI ME TAKAJN – “Presidenti Takaj është shoku im prej 30 vitesh, kam luajtur futboll moshash me të. Isha me familjen e takova rastësisht. Me një celular Samsung mund të besh filma këto ditë. Unë jam pjesë e Partizanit dhe nuk mund të ndryshoj”.