Myrto Uzuni për herë të parë të enjten realizoi një gol në kupat e Europës dhe i dha Laçit kualifikimin në turin e dytë. Anorthosis Fagamusta u kalua me sukses dhe tanimë misioni është të zhvillohet një tjetër paraqitje dinjitoze edhe ndaj norvegjezëve të Molde.
Pas ndeshjes, për “Sport Ekspres”, trajner Besnik Prenga thuri elozhe për beratasit. “Kishim në fushë një lojtar super, pavarësisht se nuk më pëlqen të bëj diferencime, pasi ekipi ia doli së bashku dhe dha gjithçka në fushë, por Uzuni ishte në formë të shkëlqyer. Ai na mori përdore”, tha kreu i pankinës kurbinase.
Në takimin me Anorthosis në tribunë kishte të pranishëm edhe përfaqësues të Lokomotivës së Zagrebit. Me përfundimin e ndeshjes, trajneri Prenga ka pasur një bisedë me ta për të lënë detajet e një takimi me presidentin Pashk Laska. Palët kanë biseduar dhe kroatët kanë paraqitur ofertën e tyre.
Shuma që mund të përfitojë Laçi nga transferimi i Myrto Uzunit mund të shkojë në 300 mijë euro. Gjithçka bëhet e ditur nga burime jo zyrtare. Mbetet për t’u parë nëse Laska do e pranojë ofertën për 23-vjeçarin. Zëvendësimi i beratasit është një problem më vete dhe duhet gjetur një zgjidhje në rast se e shesin.