Surpriza Çupo-Moting, asi nën mëngë i Tomas Tuhel

Tifozët e PSG janë mësuar të presin yje të mëdhenj që zbarkojnë në Paris, ndërsa mbeten paksa të befasuar kur klubi përforcoi repartin e sulmit me Erik Maksim Çupo Moting, i cili erdhi me parametra zero nga ekipi i Stok Sitit. Ai ishte goditja e tretë e klubit francez, pas afrimit të Bufon dhe gjermanit Kehrer.

Trajneri Tuhel, i cili ka punuar me Çupo-Moting tek ekipi i Maincit, u shpreh me këto fjalë gjatë prezantimit të 29-vjeçarit. “Është një futbollist, i cili di të jetë deçiziv, kur niset nga pankina.” Lojtari, i cili ka lindur në Gjermani, por aktivizohet me kombëtaren e origjinës së tij, Kamerunin, ka ardhur të zëvendësojë Kavanin dhe po fillon të japë frytet e tij.

Sulmuesi debutoi në Champions kundër Liverpulit dhe me hyrjen e tij në lojë, PSG gjeti barazimin e përkohshëm me golin e Kilian Mbape. Në fundjavë, Çupo-Moting e nisi prapë nga pankina ndeshjen kundër Rene, duke zëvendësuar Verratin. Ai gjeti golin e parë personal dhe të tretin për ekipin, duke vulosur fitoren e PSG. Lojtari ndihet i lumtur

“Ndihem mirë te PSG dhe të gjithë më kanë pritur mirë. Pak skepticizëm është normale dhe më duhet ta pranoj, sepse te PSG priten të vijnë lojtarë të mëdhenj. I njoh mirë cilësitë e mia dhe e di se mund t’i jap një dorë ekipit”, komenton Çupo-Moting duke buzëqeshur. Ai e di mirë se duhet punojë fort dhe të jetë gjithmonë gati, kur Tuhel ta thërrasë në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *