Feronikeli është kthyer i frikshëm pas ndryshimit në stol, sepse pas largimit të Sulejman Starovës dhe afrimit të Zekerija Ramadanit loja dhe rezultatet janë përmirësuar në mënyrë të rrufeshme, çka tregon se skuadra ishte, por me sa duket nuk e ndiqte më trajnerin.
Sot Feronikeli shpartalloi 4-0 Dritën kampione në fuqi, që është në kaos total. Pa trajner, në bisedime me disa emra të njohur, skuadra nga Gjilani është pa busull, edhe për faktin se tashmë nuk e ndihmon as fati. Që në pjesën e parë Drita mbeti me 10 lojtarë, pasi Bujar Shabani doli me karton të kuq në minutën e 38-të.
Në pjesën e dytë, në 30 minutat e fundit të ndeshjes, shpërtheu furia e Feronikelit, duke shënuar katër herë. Nga dy gola i realizuan Mendurim Hoti (62’, 87’) dhe Kastriot Rexha (77’, 90’).
Zhgënjim total në Gjilan edhe për ekipin tjetër të qytetit, sepse Gjilani u mund 3-1 në shtëpi nga Ballkani. Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 16-të me golin e Visar Berishës me kokë. Gjilanasit i barazuan shifrat në minutën e 28-të me golin e Vilfor Hysës. Megjithatë, gjashtë minuta më vonë skuadra nga Suhareka e riktheu epërsinë me golin e Jetmir Topallit me gjuajtje me kokë. Ndërkaq, fitoren e Ballkanit e siguroi përfundimisht Egzon Shabani, në minutën e 73-të, kur shënoi me gjuajtje nga distanca.
Në renditjen e Superligës spikat Flamurtari befasues, ndjekur tashmë nga Feronikeli, por nesër Llapi i vendit të tretë pret pikërisht Flamurtarin.