Migen Memelli ka spikatur si golashënues në Superiore, ndërkohë që ka luajtur edhe jashtë vendit, Me futbollin e luajtur e ka mbyllur dhe këtë sezon provoi edhe një eksperiencë si trajner te Laçi. Disa javë në krye të kurbinase dhe tanimë është në pritje të një oferte. Si një njohës i kurbinasve, por edhe i Tiranës ku ka spikatur dikur si futbollist, ai flet edhe për përballjen në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë mes këtyre dy ekipeve. Memelli flet edhe për kampionatin, përjashtimin e Kamzës dhe për mungesën e golave.
TIRANA-LAÇI -“Kupa e Shqipërisë ndryshon nga Kampionati dhe në ndeshjet çerekfinale priten rezultate interesante. Sa i përket ndeshjes nesër Tirana-Laçi, përpos nostalgjisë e respektit për të dyja skuadrat, mendoj se Tirana është më e avantazhuar. Për kualifikimin ka edhe një ndeshje. Laçi e shikon Europën më shumë nga Kupa, ndaj them se do jetë një kryendeshje e këtij turi”, deklaron Memelli.
KAMPIONATI – “Duke e nisur nga sfida Skënderbeu-Kukësi, shpresoj që skuadra korçare të shpëtojë nga dënimi 10-vjeçar dhe të shtunën të luhet një ndeshje e fortë. Të gjitha takimet e ditës së diel janë të vështira dhe kanë të veçantat e tyre. Kastrioti-Tirana është mundësia që krutanët të rivalizojnë Luftëtarin për mbijetesë, në takimin Laçi-Flamurtari luajnë dy skuadra të barabarta në renditje, ndërsa Partizani-Teuta, sfida ku dy skuadrat e kreut duan të forcojnë pozitat e tyre”.
“Ndërprerja e kampionateve ishte e mirë për gjithë futbollin tonë dhe jo vetëm për arbitrat, kjo që të gjithë aktorët e faktorët të ndërgjegjësohen. Unë kam nisur të luaj si profesionist në vitin 1998 në situata edhe më të vështira, por 20 vite më pas nuk duhet të pretendojmë se jemi në atë kohë. Gjithsesi, përjashtimi i Kamzës i prish punë kampionatit”, theksoi Memelli për SportEkspres.com.
MUNGESA E GOLAVE – Ndërsa për shterpësinë e golashënuesve në Kategorinë Superiore, Memelli shprehet: “Shënimi i golave në këtë sezon tregon një shterpësi të rrallë në edicionet e fundit. Sulmuesit nuk shënojnë shumë dhe unë mendoj se ata vetë punojnë pak individualisht, ndërsa trajnerët e skuadrave më shumë fokusohen te puna me grupin. Unë punoja me elementë të veçantë për shënimin e golit, gjithmonë pas stërvitjes me grupin”.
AGRON KAJA