Sindrit Guri u transferua në verë te skuadra belge e Ostendes, por në gjashtë muajt e parë, ka bërë një sezon me shumë ulje-ngritje. I preferuar më shumë në ndeshjet e Kupës së Belgjikës, Guri është ende në pritje që të fiksojë një vend titullari dhe deri më tani, trajneri nuk i ka besuar.
Kjo dhe për shkak të alternativave të shumta që ka në repartin e sulmit. Veterani De Suter është i vetmi që nuk qëndron para Gurit në preferencat e trajnerit, por është shumë mbrapa dyshes kryesore Zivkoviç dhe Sakala. Të dy sulmuesit kanë shënuar 5 gola në 37 ndeshje së bashku dhe kanë qenë zgjedhjet e para të teknikut Verhejen.
Guri është aktivizuar në 16 ndeshje, ku ka shënuar tre gola, një në kampionat dhe dy në Kupën e Belgjikës. 22-vjeçari Zivkoviç me shumë gjasa do të largohet nga Ostende, pasi ukrainasit e Dinamo Kiev kanë shfaqur interes për të. Në rast largimi të holandezit, mendohet se do t’i besohet Sidrit Gurit, pasi Ostende nuk ka ndërmend të bëjë merkato gjatë këtij muaji janar. Ndoshta, bomberi shkodran do të rikthehet në formën e tij më të mirë…