Klubet angleze këtë sezon janë rikthyer me plot kuptimin e fjalës në majën e Europës, teksa si në Champions League, si në Europa League kanë nga dy përfaqësues në fazën gjysmëfinale. Finalet e dy kompeticioneve më të rëndësishëm evropiane mund të jenë tërësisht angleze.
Në Champions, Liverpuli dhe Totenhemi nëse kalojnë respektivisht Barcelonën dhe Ajaksin do të diskutojnë trofeun mes tyre. Në Europa League paraqitet e njëjta gjë, me Arsenalin dhe Çelsin që nëse kalojnë Valencian e Frankfurtin do të përballen me njëri-tjetrin në finalen e Europa League.
Këtu nisin shumë pikëpyetje, kjo për shakak se për pjesëmarrjen në Champions për sezonin e ardhshëm hyn në lojë rregullorja. Rregullore, që në rast se ndodh që Champions dhe Europa League ta fitojnë ekipe që nuk janë pjesë e “Top 4” në Premier League, atëherë do të djegë Mançester Junajtid ose një midis Çelsit e Arsenalit.
Si mund të ndodhë diçka e tillë? Nëse Totenhemi triumfon në Champions, rregullorja e UEFA-s e thotë qartë që ekipi që ngre trofeun, automatikisht merr pjesë në fazën e grupeve sezonin e ardhshëm. Pra, “gjelat” në rast se e mbyllin kampionatin jashtë “Top 4” përsëri do të kenë të drejtën të jenë pjesë e Championsit për sezonin e ardhshëm.
E njëjta gjë vlen edhe për Europa League. Në rast se një midis Çelsit dhe Arsenalit ngre trofeun, rregullorja e UEFA-s thotë që ekipi fitues sezonin e ardhshëm luan në grupet e Champions. Në rast se një midis Çelsit apo Arsenalit mbetet jashtë “Top 4” dhe fiton trofeun përsëri do të ketë të drejtën të luajë në Champions. Këto dy rastet e sipërpërmendura, nëse kombinohen së bashku, sjellin që vendi i katërt në Premier League “të digjet”.