Luis Suarez nuk shënon vetëm gola në fushë. Sulmuesi tanimë bën edhe rolin e specialistit të futbollit, teksa së fundmi ka komentuar merkaton e bërë nga klubi. Në “lupën” e tij kalojnë katër prej përforcimeve.
Uruguaiani ia nis me Klement Lenglet, mbrojtësin e marrë nga Sevilja: “E njihja Lenglet pasi jemi përballur me të kundër Seviljes, por dija më së shumti për aspektin mbrojtës rreth tij. Ai ka shumë kualitet dhe vizion loje”.
Braziliani Artur është një nga ata lojtarë prej të cilit pritet shumë në Katalonjë. E krahasojnë me Ksavin, një legjendë të Barcelona.“Leo gjithashtu më ka thënë se ai ka shumë gjëra të përbashkëta me Ksavin”, ka shtuar Suarez në emisionin “Tu Diras” në “RAC1”.
Malkolm u ble sivjet nga Barcca dhe për të sulmuesi thotë: “Ai është një futbollist ndryshe dhe shumë i aftë. Ngjan me Dugllas Kosta në fillimet e tij, shumë i shpejtë”.
Në fund pak fjalë edhe për Arturo Vidal, mesfushorin e marrë nga Bajerni i Mynihut. “Vidal është një lojtar që të gjithë e njohin. Bëhet fjalë për një futbollist që do të jepte jetën për skuadrën. Gjithashtu edhe në aspektin taktik mund të na ndihmojë shumë”, përfundon Suarez.