Stojku është “stoik”: Në asnjë ndeshje nuk do lëshojmë, kreu i arritshëm

Në javën e 15-të të Kategorisë së Parë, takimi që u luajt në Peqin, Erzeni-Vllaznia 2-0, ishte kryesfida e kësaj jave në Grupin B. Fitorja e skuadrës shijakase e rriti edhe më shumë konkurrencën e skuadrave për kreun në këtë grup dhe trajneri i Erzenit, Gentjan Stojku, për këtë fitore deklaron se skuadra e drejtuar prej tij është e konsoliduar dhe e fortë për çdo kundërshtar. Për SportEkspres.com, Stojku theksoi se Erzeni nuk do të lëshojë në lojën e tij në 13 javët e mbetura.

“Fitoren me Vllazninë e prisja, sepse skuadra është e konsoliduar dhe e aftë për të tilla rezultate. Përforcimet që kemi bërë në merkaton e janarit e kanë ritur më shumë besimin në skuadër që të synojmë kreun në Grupin A. Tashmë ky nuk mund të quhet një mision i pamundur për ne, jo vetëm se mundëm rivalen direkte për këtë vend që të ngjit direkt në Kategorinë Superiore”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij tekniku i Erzenit.

Ndërsa për 13 ndeshjet e mbetura, 3 në fazën e dytë dhe 10 në fazën e tretë, Stojku deklaron se Erzeni nuk do të lëshojë në asnjerën prej tyre. “Lufta sportive do të jetë e fortë dhe gara kështu mbetet më e hapur për të gjitha vendet në renditje. Ne nuk do të lëshojmë  në asnjerën prej tyre, do të shikoni Erzenin më të mirë të këtij sezoni, pretendent serioz për kreun e Grupit A”. Skuadra shijakase renditet në vendin e 2-të në Grupin A me 31 pikë, 4 pikë më pak nga Vllaznia e vendit të 1-rë dhe sfida e radhës në Koplik do të jetë një tjetër provë për kreun e grupit.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *