Sulejman Starova nuk gjen qetësi, sepse duket se pengu i humbjes së titullit kampion është shumë i madh. Trajneri i Partizanit, duke folur në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, sulmon jo vetëm shënjestrën e tij të zakonshme, FSHF-në dhe Armand Dukën, por tashmë përfshin edhe Ilir Dajën e Ernest Gjokën, të cilën i fton në një tryezë të rrumbullakët.
“E kam me mikun tim Daja, i cili merret vetëm me pjesën kur ka qenë unë trajner i Skënderbeut, ndërsa unë nuk i bëj llogaritë se kur ka qenë Sormani dhe kur kam qenë unë trajner i Partizanit. Por, meqë qenka puna për “unë”, kur e mora drejtimin e Partizanit e gjeta 7 pikë larg Skënderbeut dhe Kukësit. Në përfundim jam tri pikë larg Kukësit dhe barazim me Skënderbeun. Daja thotë që Skënderbeu luajti më mirë ndaj nesh, por e munda në Tiranë dhe barazoi në sekondën e fundit në Korçë, ku i kam marrë katër pikë. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë Dajën, apo edhe njerëzit e tjerë kur nuk ka qenë Daja trajner, që të ankoheshin, siç jemi ankuar ne. S’e kam dëgjuar ndonjëherë që të akuzojnë Dukën se na hoqën kampionatin. Di që Skënderbeu është penalizuar me golin e dytë në Kukës në fazën e dytë dhe tani në fund të kampionatit. Di që para dy-tri javësh e favorizuan me Tiranën, së cilës nuk i dhanë penallti, por u dhanë atyre penallti në fund. Po të llogarisë Daja se çfarë na kanë bërë ne këtë vit, nuk duhet të flasë. Sepse skuadra që duhet të ishte kampion këtë vit, jo se jam unë trajneri, është Partizani. Partizani dhe Tirana janë më të persekutuarit, ndërkohë që jemi 3 pikë larg Kukësit që ka dalë kampion dhe barazim me Skënderbeun që pretendon se i paskan hequr kampionatin. Nuk diskutohet që Duka ia hoqi kampionatin Partizanit.
Starova vazhdon me Kukësin dhe Gjokën: “Ne e kemi kuptuar si funksionon sistemi në futbollin tonë, e kemi pasur në dorë, por nuk e kemi bërë. Skënderbeu mësoi një gjë të bukur se drejt nuk fitohet, ndaj ka luajtur shtrembër. Duhet të kesh muhabet me arbitrat, duhet t’i respektosh. Unë direkt i kam dërguar Gjicit këtë mesazh: “Shkofsh larg e më larg se e kemi kaluar shkëlqyeshëm bashkë. U bëfsh edhe kryeministër. Puna është punë, por kampionatin ta dha Duka. Ti ta gëzosh kampionatin”. Presidenti Gjici e ka të shkruar në celular këtë.
“Dua një tryezë të rrumbullakët ku të marrim pjesë unë, Ilir Daja dhe Ernest Gjoka. Po tregoj arsyet pse e kërkoj këtë tryezë. Fillimisht, i them Gjokës arsyet pse ka dalë kampion: E para, Partizani është skuadra që ka pësuar më pak gola. E dyta, ato gola që ke tepër të shënuar, i ke me Tiranën që të fali 6 pikë. E treta, golashënuesi më i mirë në Shqipëri është Ekuban, me gjithë respektin që kam për Pejiç, i cili ka bërë 10 gola me penallti. Ndërsa ai i yni i ka me aksion, madje edhe një që ia dhanë, ia dha tjetrit, pasi nuk do gola me penallti. Të gjithë treguesit thonë se ne jemi skuadra që u penalizua më shumë dhe jemi ne kampionë. Ishalla ndërgjegjësohemi të gjithë dhe të rrëzojmë sistemin, me kryetar Dukën”.