Starova ndërton formacionin, më shumë tremb vapa sesa Botevi

Tashmë ka mbaruar koha e fjalëve dhe premtimeve, sepse mungojnë vetëm 2 ditë nga përballja në Europa League kundër Botevit dhe Partizani duhet të tregojë se mbetet skuadra solide e sezonit të fundit, përtej largimeve, me emra si Ekuban, Torasa e Ramadani që në fakt nuk zëvendësohen dot lehtësisht.

Megjithatë, ka ardhur Gerhard Progni, një futbollist i aftë të luajë në mesfushë e sulm, si dhe në të majtë të mbrojtjes është shtuar rivaliteti, me afrimin e Kotobellit, edhe ky nga Teuta, ashtu si Progni.

Trajneri Sulejman Starova duket se ka ndërmend t’i përfshijë në formacion dy afrimet e verës, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është ajo e sezonit të shkuar: Hoxha në portë, Fejzullahi dhe Kotobelli nga krahët e mbrojtjes, Atanda dhe Ibrahimi në qendër, duke parë se Renato Malota dhe Gëzim Krasniqi janë të dëmtuar. Në mesfushë janë të konfirmuar Batha, Vila e Trashi, ndërsa Mazrekaj e Progni do të mbështetin Xhevahir Sukajn, i cili duket se do të riaftësohet në kohë, për të luajtur të paktën një orë lojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *